Nga Klaudio Ndreca
Teuta-Partizani do të jetë finalja e parë e vërtetë për këtë sezon të Superiores, ku do të diskutohet shumë sa i përket titullit kampion. Në rast se durrsakët do të dalin me tre pikët nga kjo përballje, atëherë trofeu niset drejt Durrësit. Ndërkohë nëse Partizani arrin që të fitojë, atëherë do të kemi sërish katrahurën e madhe në llogaritë për vendin e parë.
Por përpara ndeshjes së sotme, “Sport Ekspres” ka intervistuar kapitenin e Teutës, Renato Arapi. Futbollisti që meriton shumë duartrokitje nga gjithë ambienti sportiv teksa po drejton “mbretëreshën ilire” në sundimin e futbollit shqiptar pas shumë vite harrese.
Për më tepër statistikat në mbrojtjen e ekipit durrsak janë të mahnitshme dhe arsyeja kryesore që Teuta ndodhet në luftën për titullin kampion, për më tepër duke kryesuar kampionatin. Në një kohë që sulmuesit nuk kanë spikatur dhe Bregu u ndez disi vonë në Superiore, mbrojtja ka gjithmonë hermetike duke ofruar siguri për Martinin.
Teuta është shumë pranë titullit kampion. Pikësëpari çfarë emocionesh ju jep mbërritja në këtë nivel? Ekipi ka qenë duke konkurruar për titull edhe më parë, por duke humbur rrugën në fazat e fundit…
Sigurisht që emocionet janë të mëdha jo vetëm për mua që jam lindur e rritur me këtë ekip, por për të gjithë. E dimë që u bë kohë e gjatë që nga hera e fundit që Teuta e fitoi titullin kampion. Në rastet e tjera nuk kam qenë pjesë e ekipit dhe nuk mund të flas. Por këtë herë besoj se jemi më afër se kurrë pasi që në fillim të sezonit e kemi thënë hapur për objektivin që kishim në bazë të asaj që dhamë në sezonin e shkuar, por edhe duke parë merkaton e bërë.
Përballja e radhës do të jetë kundër Partizanit. Nëse do ishte mundësia, do firmosnit për barazimin në këtë moment?
Unë gjithmonë e them se cdo ndeshje ka historinë e saj. Por ajo që dua të siguroj është që Teuta ka hyrë në cdo ndeshje për të fituar, pavarësisht se cfarë ka sjella fusha e lojës. Prandaj në këtë kontekst nuk do të ndryshojmë asgjë nga mënyra e lojës tonë, aq më tepër që luajmë edhe në shtëpi.
A ishin këto rezultate dhe një përgjigje për skeptikët dhe cilësimet si Teutë e mërzitshme?
Pavarësisht nëse e marrim kampionatin apo jo, përgjigjen e kemi dhënë. Futbolli është maratonë dhe rruga është shumë e gjatë për të arritur tek titulli. Fakti është se 3 ndeshje nga fundi i kampionatit ne jemi akoma aty pretendent për të fituar titullin. Kjo flet vet.
Në një kuptim të figurshëm duket sikur mbrojtësit e Teutës e kanë mbyllur portën dhe e kanë gëlltitur çelësin. Nëse do të kishit ende regjisorin Kallaku, do të ishte mbyllur praktikisht kampionati në këtë moment?
Më e mira do të ishte që të mos bënim krahasime sepse këtë vit edhe mënyra e lojës tonë ka ndryshuar pak. Sigurisht që të kesh një lojtar si Kallaku në ekip, do ta shtonte më shumë cilësinë dhe mbajtjen e topit. Por nuk duhet të harrojmë që kemi pasur edhe një Dejvi Bregu që na ka ndihmuar shumë me golat e tij. Shpresoj se do ta bëj edhe në këto ndeshje të mbetura.
A do të ketë premio për ju në të gjitha këto takime të mbetura?
Premio ka pasur pothuajse në cdo ndeshje. Ne si ekip kemi premio goxha të majme edhe në rastin e shpalljes kampion. Por në këtë moment që ndodhemi ka më shumë rëndësi që të arrijmë objektivin që i kemi vendosur vetes. Të gëzojmë një qytet të tërë që ka shumë vite duke e pritur titullin.
Duke parë realitetin europian, me cilin ekip ju pëlqen që ta krahasoni veten?
Nuk dua të bëj krahasime pasi ne mbajmë emrin e mbretëreshës ilire, Teuta, që do të përmendet dhe do njihet edhe nga brezat që vijnë. Ekip që ka traditë në futbollin shqiptar dhe mos të harrojmë se është i vetmi ekip në Superligë që deri në këtë moment që flasim nuk e ka provuar asnjëherë që të luaj në kategorinë inferiore.
E për të kthyer pak kokën mbrapa që nga nisja e sezonit. Çfarë shije ju ka lënë Superiorja e këtij sezoni dhe cili ishte kujtimi më i bukur?
Padyshim që ajo që më ka bërë përshtypje është konkurrenca e fortë për titullin kampion, gjë e cila nuk ka ndodhur në vitin e kaluar. Për kujtimin më të bukur duhet të presim fundin e kampionatit. Sepse mund të jetë edhe ndeshja e nesërme(sotme) me Partizanin ose ndeshja e fundit që kemi në shtëpi përballë Apolonisë.
Nëse Teuta na përfaqëson në Champions League, mendon se mund të arrin larg me këtë grup lojtarësh?
Sigurisht që po! Nëse do të ruaj një pjesë të madhe të kësaj organike dhe të bëjë afrime të studiuara dhe cilësore, shanset për t’u përfaqësuar si duhet në kompeticionet europiane do të rriten. /Sport Ekspres/