Nga “hero” në “zero”! Thomas Brdariç ka kaluar shumë luhatje me Vllazninë brenda pak javësh. Madje në një moment u fol se trajneri përshëndeti lojtarët dhe bëri gati valixhet për t’u larguar nga Shkodra, por bileta e avionit u shty për një kohë të pacaktuar për të qëndruar sërish “në shtëpi”.
I kryqëzuar nga ambienti sportiv pas krizës që përfshiu Vllazninë, për të kaluar në kualifikimin e finales së Kupës së Shqipërisë pasi eliminoi Laçin. Fitoret po vinin edhe në kampionat, teksa prejardhjen e tij gjermane e tregoi në atë fitore 0-6 ndaj Apolonisë.
Optimizmi u kthye sërish në Shkodër për ta bërë Brdariç si hero. Fundja me të drejtë pasi po kryesohej kampionati dhe u arrit në finalen e Kupës, ndërsa në fillimin e sezonit si objektiv i vetëm dhe arritje quhej kualifikimi në Europë.
E kur kanë mbetur pak finale nga fundi i Superiores, humbja ndaj kampionëve në fuqi të Tiranës bëri që të kishte sërish shumë kritika për Brdaric. A është e drejtë? Fundja kjo është fatura që duhet të paguhet në një qytet aq të ndjeshëm dhe dashamirës ndaj futbollit në veçanti dhe sportit në tërësi siç është Shkodra.
Heroizmat dhe kritikat e mëdha janë gjithmonë me doza të tepruara dhe shpeshherë nuk gjendet vija ndarëse për të kaluar nga e mira në të keqen që dëmton skuadrën. Krahasimi më i mirë është ai që bëhet me vetveten. Nëse te Vllaznia shohin pak mbrapa vijnë kujtime që nuk do të dëshironin t’i kujtonin dhe që janë ende të freskëta.
Papritur kjo skuadër arrin të marrë kaq shumë suksese radhazi ku diskuton për titullin kampion dhe gjendet në finalen e Kupës. Shumëkush mund të thotë me të drejtë se ky ekip është histori e madhe në Shqipëri, por askush në Europë nuk arrin që të fitojë me fanellë dhe stemë, pa asgjë tjetër.
E gjitha lidhet me menaxhimin e klubit, situatën ekonomike dhe afrimin e lojtarëve më të mirë. Vllaznia e nisi këtë sezon me emra tërësisht normal dhe një trajner gjerman që kishte shumë pikëpyetje, por në fund rezultoi se të gjithë po rriten së bashku.
Në fund sido që të shkojë historia e kampionatit, Brdariç ndihet i lumtur pasi bëri që në Shkodër të kujtohen sërish vitet e largëta të historisë dhe jo këto të freskëtat të hidhërimit ku mendohej për mbijetesën në Superiores. Në fund sido që të shkojë historia e kampionatit, Shkodra foli sërish për futboll, në çdo kafene të saj. Në fund sido që të shkojë historia e kampionatit, me Vllazninë kanë bërë llogaritë në faturën e tyre ekipet që kanë investuar shumë më tepër dhe që janë programuar për të fituar titullin kampion. E kjo është një arritje më vete që kurrsesi nuk duhet mohuar… /Sport Ekspres/