Nga Klaudio Ndreca
Kur Partizani ishte keq dhe po korrte rezultatet negative, Edmond Dosti, ashtu si gjithë dashamirësit e të kuqve e kanë përjetuar dhimbjen e klubit. Por ndryshe nga shumë të tjerë, Dosti, si një figurë e njohur e futbollit shqiptar ka zgjedhur që të mos bëjë kompromise për të vërtetën. E bardha është e bardhë dhe e zeza…thjeshtë e zezë! Kur Partizani ishte nën drejtimin e eksperimenteve të dështuara italiane nga Dosti nuk vinin kurrë fraza të tipit: “Prisni, jemi në javët e para”. Përkundrazi, gjithmonë i është mëshuar idesë: “Partizani ka nevojë të flasë shqip”.
Kur kjo kishte ndodhur për herën e fundit do të shpalleshin kampion me Gegën. Ndërkohë këtë gjuhë të bukur e ka kthyer Ilir Daja, së bashku edhe me rezultatet pozitive. “Sport Ekspres” ka zgjedhur që të intervistojë Edmond Dostin përpara derbit me Tiranën, atje ku mes të tjerash urohet edhe rikthimi i Dinamos në elitë për të kthyer magjinë e dikurshme.
Dosti, fillimisht dua të pyes…po të kthehet “Partizani yt”?
Më në fund që Demi dhe Rama e kuptuan se me italianët nuk po funksiononte më dhe kështu filloi që të realizohet ajo që kam kërkuar ndër vite, Partizani duhet të flas shqip. Për mua është kënaqësi kur shikoj tani që Partizani po ecën mirë në drejtimin e profesor Dajës. Shpresoj se ekipi do të vazhdojë në këtë ritëm, madje edhe pak më mirë nga ndeshja në ndeshje për të realizuar objektivat. Meritë për këtë ka Demi dhe Rama për vendosjen e Dajës si strateg në krye të Partizanit. Ka qenë blerja më e goditur e vitit.
Shqiptarët ndërtojnë me modesti dhe italianët shkatërrojnë me mendjemadhësi. Kështu e përcaktojmë situatën te Partizani, e kishe thënë shumë herë, mjaft me italianët….
Mëse e vërtetë! Shumë klube, por edhe Kombëtarja që janë të fiksuar pas trajnerëve të huaj. Unë kam qenë dhe jam për trajnerët shqiptarë. Ne kemi shumë të tillë që janë të talentuar dhe mbajnë përgjegjësi. Një sugjerim: “Boll me këta trajner të huaj arrogant, që vijnë këtu e na shtiren sikur kanë fituar nga 10 kupa në karrierat e tyre. Përse nuk i thërrasin arsyes? Tani është momenti i duhur.
Daja i ka shndërruar të gjithë në skuadër. Solomon ka nisur të bëhet më i frikshëm për kundërshtarin. Mendon se ky sulmues mund të mbaj mbi supe ekipin pas këtij shndërrimi?
Me ardhjen e Dajës ka shumë lojtar te Partizani që kanë bërë shumë progres dhe janë përmirësuar shumë në lojën e tyre teknikisht dhe profesionalisht. Një prej tyre është edhe Solomon, këtij të fundit i bëj thirrje miqësisht që të jetë akoma më shumë agresiv para portës se mund ta ndihmoj më tepër ekipin. Për mua është grupi që do të ndihmojë skuadrën dhe mentaliteti fitues i profesor Dajës.
Tani po afron derbi me Tiranën. Si përjetohej derbi në vitet e mëparshme dhe si përjetohet tani? Sheh shumë ndryshime?
Janë përjetime të ndryshme. Si futbollist emocionet për derbin na zinin që një javë para se të luhej dhe rriteshin gradualisht deri në ditën e përballjes. Kurse si tifoz, normale që e sheh me më tepër gjakftohtësi. Me lojtarët e Tiranës takoheshim shpeshherë, kemi qenë si shok. Por brenda fushës ishim kundërshtarë dhe nxirrnim xixa. Sot derbi është i ekzagjeruar shumë. Pavarësisht rivalitetit duhet të jepet mesazhi që sporti triumfon, jo armiqësia. Derbi është bukura e kampionatit dhe kam dëshirën e madhe që Dinamo të kthehet në Superiore për të plotësuar treshen e derbit.
Kush mendoni se do të fitojë këtë herë?
Sigurisht që Partizani. Uroj të jetë një ndeshje e bukur dhe plot emocione, por derbi është gjithmonë i paparashikueshëm. Shpresoj dhe uroj që këtë herë të jemi ne fituesit e derbit.
A mendoni se Partizani mund të shpallet kampion me Dajën, që në vitin e parë?
Ilir Daja e di se ku ka ardhur dhe pse ka ardhur te Partizani. Për të bërë atë që kemi parë te Skënderbeu, ia kam thënë personalisht Dajës që besoj shumë se do t’i fitojë të dyja Kupat, por nëse lirohet merkato në janar, jam 100% i bindur se del kampion. /Sport Ekspres/