Shihni intervistat e trajnerëve të Superiores, Jonuz: Fitojmë në Tiranë herën tjetër!

Në ditën e sotme janë mbyllur edhe dy takimet e para të javës së tretë në Superiore, atje ku Tirana ka fituar me rezultatin 0-2 në transfertë ndaj Vllaznisë, ndërsa Teuta fiton pastër me rezultatin 3-1 ndaj Luftëtarit. Më poshtë do të gjeni edhe të gjitha intervistat e dhëna nga protagonistët e këtij takimi për “Supersport”:

Trajneri Bledi Shkëmbi (Teuta): “Jam i kënaqur me rezultatin, por gabuam shumë në lojë dhe me pasime të thjeshta. Skuadra kaloi në vetkënaqësi pas 3-0. Më mirë që ndodhi në këtë moment, për të kuptuar se ndeshja nuk përfundon pa u mbyllur. Do të kemi kohën e nevojshme për të analizuar këto probleme”, ka thënë Shkëmbi.

Trajneri Ardian Mema(Tirana): “Kishim mundësi për ta dërguar rezultatin 4-0 apo 5-0. Kam dalë nga ndeshja i mërzitur, do të flas me lojtarët që kanë eksperiencë të madhe për të bërë punën e tyre, pasi për këtë paguhen. Duhet të jemi shumë të thjeshtë dhe jo të dhurojmë spektakël. Në pjesën e parë u vumë në vështirësi jo nga sulmet e Vllaznisë, por sepse po luftonin shumë. Duhet ta shoh ndeshjen edhe më mirë në qetësi, pasi kemi qënë shumë të ngarkuar. Në rastin e pjesës së parë të Çelhakës ishte penallti për Vllazninë, e vërteta. Ato shishe në fushë ishin krejtësisht të panevojshme.”

Trajneri Klodian Duro (Luftëtari): “Lojtarët nuk e njohin ende njëri-tjetrin. Këto tre ndeshje ishin shumë për ne dhe tani kjo periudhë e pushimit do të na bëj shumë mirë. E mora ekipin në këtë moment të vështirë, pasi mendoj se pas disa kohësh do të rikthehemi atje ku ne kërkojmë. Nuk fshihem dhe nuk do të fshihem asnjëherë. Futbollistët e ardhur nuk janë lidhur ende me njëri-tjetrin dhe ne e prisnim një gjë të tillë”.

Trajneri Mirsad Jonuz (Vllaznia): “Kalendari ishte shumë i ngjeshur dhe unë e kam thënë që në fillim, kjo ndeshje duhet të luhej nesër. Humbja erdhi për shkak të gabimeve tona. Është normale që të humbësh pasi kemi luajtur 3 ndeshje në 6 ditë. Unë nuk po e dramatizoj situatën. Do të kemi edhe afrimet e reja dhe situata do të ndryshojë. Sot ishin dy penallti në favorin tonë, njëra prej tyre ishte 100%. Por kjo është puna e arbitrit dhe unë nuk dua të ndikoj. Nervozizmi im ishte normal, tifozët nuk duhej të hidhnin ato shishe në fushë. Kampionati nuk ka mbaruar tani dhe dua t’i falenderoj për mbështetjen, por me normalitet. Herën tjetër do fitojmë në Tiranë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *