Yjet që lanë futbollin në moshë të re, njihuni me arsyet më të çuditshme

Një numri jo të vogël futbollistësh të talentuar u ndodh që të braktisin futbollin pa kapur të 30-at. Shpeshherë shkak për këtë ndarje të parakohshme nga sporti bëhen dëmtimet, ndërsa në raste më të rralla ndonjë sëmundje e rrallë ose probleme të ndryshme familjar. Megjithatë, historia njeh dhe arsye shumë të çuditshme, si për shembull pesë futbollistët e renditur në  këtë shkrim.

Hitedoshi Nakata –29 vjeç

 

Hidetoshi Nakata është një ndër legjendat  e futbollit japonez. Mesfushori i talentuar provoi të luante me skuadra të ndryshme në Itali, ku spikati me aftësitë dhe golat e shumtë. Megjithatë, japonezi i befasoi të gjithë kur vendosi të linte futbollin në moshën 29-vjeçare, vendim që do ta arsyetonte kështu: “Futbolli është kthyer i gjithi në biznes, nuk luhet më për të bërë qejf. Do vazhdoj të luaj e futboll e të kënaqem, por asnjëherë më si futbollist profesionist” .

Dejvid Bentli –29 vjeç


Dejvid Bentli ka qenë një ndër lojtarët e shumtë që nuk arriti të shfrytëzonte talentin e madh që zotëronte. Mesfushori anësor u ble nga Totenhem për 15 milionë paundë në vitin 2008, por që prej atij momenti karriera e anglezit mori tatëpjetën. Pas disa vitesh me aktivizime të pakta, Bentli u dorëhoq nga futbolli për shkak se nuk ndihej më i lumtur me jetën si futbollist.

Mario de Kastro – 26 vjeç

Me siguri nuk keni dëgjuar kurrë për këtë emër, por braziliani Mario de Kastro është një ndër legjendat më të mëdha të klubit të Atletiko Mineiros. Statistikat e de Kastros janë shtangëse. Në 100 ndeshje si futbollist profesionist ai shënoi 195 gola. Golashënuesi la futbollin në moshën 26-vjeçare. Një ndeshje  ku mbeti i vdekur një tifoz rezultoi traumatike për sulmuesin, i cili  pasi la karrierën si futbollist ushtroi profesionin e mjekut.

Peter Noulis – 24 vjeç

Peter Noulis ishte një ndër sulmuesit më premtues të futbollit anglez në vitet 60. Megjithatë, jeta i ndryshoi krejtësisht kur pranoi në shtëpinë e tij dy dëshmitarë të Jehovait. Me kalimin e kohës sulmuesi i Ulverhemtpon filloi të distancohej nga futbollit për t’iu përkushtuar praktikave fetare. Derisa në vitin 1969 braktisi skuadrën në mënyrë të papritur pas një ndeshjeje. Te Ulvërhempton e mbajtën nën kontratë për 12 vite radhazi me shpresë se Noulis do ndryshonte mendje, por kjo nuk ndodhi dhe klubi ndërpreu bashkëpunimin në vitin 1982. Pas jetës si futbollist Noulis punoi si shpërndarë qumështi, magazinier dhe pastrues dritaresh. I pyetur vite më vonë mbi këtë dorëheqje të parakohshme, Noulis u shpreh se nuk kishte asnjë pendesë.

Karlos Roa – 29 vjeç (përkohësisht)

Kjo histori s’mund të lihet pa u përmendur. Imagjinoni sikur të jeni të sigurt se fundi i botës është pranë, atëherë futbolli është gjëja e fundit që ju shkon në mendje. I tillë është rasti i portierit argjentinas Karlos Roa. “Gardiani” amerikano-jugor ishte pjesë e një sekti të krishterë që besonin se në vitin 2000 bota do të merrte fund. Vetëm një vit pasi eliminoi Anglinë nga Botërori i vitit 1998, Roa la futbollin për t’iu përkushtuar aktiviteteve fetare. Megjithatë, viti 2000 kaloi pa trazira dhe Roa iu rikthye futbollit me skuadrën e Majorkës, por kurrë më në formën e mëparshme duke qëndruar në stol çka solli që të mos rikthehej më kurrë ne grumbullimet e kombëtares së Argjentinës. Një tjetër detaj interesant i karrierës së Roas është se për disa vite ai refuzonte të luante ndeshje ditën e diel për shkak se puna në këtë ditë binte ndesh me bindjet e tij fetare.

 

Shkrimi origjinal nga “The Guardian Football, The Knowledge Series”,
përktheu e përshtati në shqip Florian Alla

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *