Largimet e Lum Rexhepit dhe Sodik Atandës e çuan në vetëm dy numrin e qendërmbrojtësve te Partizani. Megjithatë, drejtuesit e “demave” kanë menduar për t’i dhënë zgjidhje kësaj problematike. Sipas sajtit të njohur italian “alfredpedulla.com”, kampionët e Shqipërisë kanë gjetur akordin me mbrojtësin rumun Deian Boldor.
Futbollisti 24-vjeçar transferohet në kryeqytet në formë huazimi nga skuadra e Xhenoas. Sezonin e kaluar Boldor është aktivizuar në Serie B me skuadrën e Foxhës, ndërsa ka pasur edhe një eksperiencë në kampionatin amerikan “MLS” me Montreal Impacts.
Boldor është transferuar në Itali në moshën 16-vjeçare, ku ka qenë për disa vite pjesë e akademisë së Romës. Në vitin 2016 Bolonja bleu për 500 mijë euro kartonin e tij. Pas qëndroi dy vite me bolonjezët, Boldor ndërroi ekip me Veronën që pagoi 100 mijë euro për shërbimet e rumunit gjatë verës së vitit të kaluar.