Aston Vila pagoi 22 milionë paundë për Uesli Moraes. 22-vjeçari brazilian është blerja më e shtrenjtë e klubit anglez, që u ngjit këtë sezon në Premier League. Një sulmues shumë cilësor, i cili bëri një sezon të shkëlqyer në Belgjikë me ekipin e Klub Bryzh, duke shënuar 13 gola në kampionat.
Historia e tij, është shumë e rrallë. Sulmuesi, i cili bëri ëndrrën e tij realitet duke u transferuar në Premier League, ka pasur një të kaluar shumë të vështirë. Në moshën 9-vjeçare, humbi babain e tij, ndërsa në moshën 16-vjeçare, ishte vetë babai i dy fëmijëve… me dy femra të ndryshme.
Në këtë moshë, ai nuk kishte një familje bazë, pasi lëvizte sa në një shtet në tjetër, duke ndjekur ëndrrën e tij që të bëhej futbollist profesionist. Tre muaj i kaloi në Spanjë, por Atletiko Madrid vendosi të mos nënshkruajë me të. Sot, 22-vjeçari ia doli pas shumë sakrificash që të luajë për një klub të njohur dhe duket gati për të shpërthyer në elitën e futbollit anglez.
VERONIK ISTREFAJ