Merkato është shumë e paparashikueshme. Ndodh që po kërkon një sulmues, bindesh për kualitetin e tij pasi i sheh videot, arrin marrëveshjen dhe prezanton lojtarin e… gabuar!
“Foroyaa Sport” raporton ngjarjen dhe diçka e tillë i ka ndodhur Menemensporit, klub që garon në divizionin e dytë të futbollit turk. Drejtuesit kërkonin një sulmues dhe e kanë gjetur. Ata menduan se bënë një goditje, por një gabim ka bërë që në Turqi të vijë një sulmues tjetër.
Një çmenduri e vërtetë, çka ka detyruar klubin të anulojë pas 24 orësh kontratën me lojtarin afrikan. Menemenspori pa videot e Lamin Jallou dhe u bind nga cilësitë e sulmuesit nga Gambia. Agjentët e 23-vjeçarit u kontaktuat dhe marrëveshja u arrit.
Jallou është pjesë e Salernitanës në Serie B dhe numëron tetë ndeshje e një gol të shënuar me kombëtaren e tij. Gjithçka perfekt deri në momentin kur kryhet edhe prezantimi i tij. Goditja e merkatos ishte një tjetër lojtar dhe quhet Alfa Jellou.
Edhe ky luan në rolin e sulmuesit, është nga Gambia dhe vinte nga divizioni i tretë i futbollit portugez me Alkoçentense, ekip me të cilin i kishte përfunduar kontrata ditën e parë të korrikut.
21-vjeçari mendoi se siguroi kontratën e jetës, por turqit kuptuan gjithçka. Të ndodhur në një situatë të tillë, ata dolën në një deklaratë zyrtare, duke “pretenduar” se Jellou nuk i kaloi kontrollet mjekësore dhe kontrata u ndërpre pas vetëm 24 orësh. Kohë merkatoje, asgjë nuk përjashtohet…