Tomori në krizë, Arbri vetëofrohet: Unë jam gati!

Polizoi Arbëri është një nga ish-futbollistët më të njohur, por dhe më të dashur të sportdashësve beratas në dy dekadat e fundit. Kjo jo vetëm për faktin se ka spikatur qysh në moshë të vogël si një talent i padiskutueshëm në ekipet  e moshave të Tomorit, duke u bërë pjesë e skuadrës së parë të Tomorit qysh në moshën 17-vjeçare.

Pas një karriere të shkëlqyer me disa skuadra të njohura të vendit, por që fatkeqësisht u ndërpre shumë herët për arsye të një dëmtimi, tani nis një tjetër sfidë për më të voglin e dinastisë Arbëri, sepse Polizoi ka vendosur të vijojë karrierën e trajnerit. Pas një eksperience të parë dhe të shkurtër tek Luftëtari në sezonin e kaluar, duke punuar në detyrën e ndihmës teknikut në krah të Gentian Mezanit, Polizoi ka kryer një tjetër ndërhyrje kirurgjikale në Itali dhe pas rikuperimit të tij të plotë, ka zgjedhur që të rinisë sërish nga puna si trajner.

Në një prononcim për SportEkspres.com , Arbri shfaq dëshirën e tij të madhe dhe gatishmërinë për t’i shërbyer skuadrës së vendlindjes, Tomorit, për të cilën shprehet i gatshëm ta drejtojë në Kategorinë e Dytë, duke ju gjendur pranë në këtë moment të vështirë ku ndodhet skuadra beratase.

“Dihet se karriera ime si trajner është në hapat e saj të parë dhe kam të njëjtën dëshirë dhe përkushtim ashtu si dikur në fushë si futbollist,  ashtu edhe në detyrën e trajnerit, ku më ndihmon jashtëzakonisht përvoja si futbollist në nivele të larta dhe ish-anëtar i ekipeve kombëtare. Besoj shumë se do të jem po kaq i suksesshëm sa dhe dikur si futbollist në fushë. Pas eksperiencës sime të shkurtër tek Luftëtari, ajo që do të më pëlqente shumë si një sfidë e vërtetë do të ishte që të drejtoja pse jo edhe Tomorin që është skuadra ime e vendlindjes dhe që i detyrohem shumë.

“Në një moment ku skuadra ka rënë në Kategorinë e Dytë, kam bindjen dhe sigurinë që po të më besojnë rindërtimin e skuadrës, do të kisha të gjithë sigurinë profesionale, por edhe gatishmërinë, për të kuruar plagët e futbollit beratas. Unë shprehem i gatshëm për të marrë drejtimin e Tomorit në këto momente, sepse e di se sa po vuajnë sportdashësit beratas dhe jam plotësisht i gatshëm që të rikthej skuadrën brenda një sezoni në Kategorinë e Parë. Kam një projekt që është ambicioz, por dhe që falë emrit dhe traditës së Tomorit nuk e diskutojmë rikthimin në të Parën”, deklaron Arbri, i cili pret dhe shpreson te riorganizimi i Tomorit, që sezonin  e fundit dështoi në çdo drejtim.

EDI SPAHIU

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *