Edhe pse ka tre javë pushim nga mbyllja e sezonit të kaluar, te skuadra e Lushnjës nuk është ndjerë kjo pauzë. Stafi teknik e drejtuesit e klubit i kanë bërë planet për sezonin e ri dhe këtë situatë pune e deklaron për SportEkspres.com vetë trajneri i lushnjarëve, Ilir Gjyla. Tekniku thekson mes të tjerash se korrektësia në paga e shpërblime në sezonin e kaluar ka afruar shumë futbollistë në këtë periudhë të merkatos.
SITUATA – “Lojtarët të gjithë janë me pushime, por ne si staf teknik dhe drejtuesit e klubit i kemi mbajtur kontaktet me të gjithë. Nga sezoni i kaluar ne nuk kemi asnjë lëvizje zyrtare, por gjatë kësaj periudhe deri në fillimin e përgatitjeve do kemi më shumë afrime. Përgatitjet do t’i nisim në ditët e para të korrikut këtu në Lushnjë dhe gjatë muajit gusht dy javë do zhvendosemi në bregdet”.
ZGJEDHJET – “Për ne si skuadër nuk ka asnjë ndikim kjo situata e zgjedhjeve të 30 qershorit. Vërtet ne jemi në administrim nga Bashkia, por garancinë financiare e kemi. Madje do t’u thoja se këto ditë u miratua një fond për fazën përgatitore për 10 ditë dhe ne si staf do kërkojmë që të bëhet për dy javë. Edhe për merkaton kjo situatë nuk ka asnjë ndikim. Në javën e parë të korrikut ne do nisim përgatitjet”.
MERAKTO – “Po ju them një sekret të merkatos sonë në këto ditë. Na janë afruar shumë lojtarë dhe kur them shumë, janë mbi 30 vetë. Kanë mësuar se Lushnja është korrekte me pagesat e premiot, ku pagat shkojnë 600 deri në 800 mijë lekë në muaj. Duke shtuar edhe premiot për fitore brenda e jashtë fushe, kërkesat janë të shumta. Ne do bëjmë përzgjedhjen tonë”.
INFRASTRUKTURA – “Natyrisht që ka nevojë për përmirësim të infrastrukturës sonë, si në stadium, ashtu edhe në fushat stërvitore. Duke e parë në kompleks ritmikën e futbollit në qytetin e Lushnjes, kjo është ngarkesë financiare për pushtetin lokal, edhe pse me mundësitë e tyre vit pas viti kanë bërë restaurime në stadium. Duhen shumë fonde, FSHF-ja duhet të na ndihmojë”.