Infrastruktura, merkato dhe Bano: Isaji zbulon planet e Shkumbinit

Në këto ditë të nxehta të qershorit, te Shkumbini vetëm futbollistët e stafi teknik janë me pushime. Gjithë punonjësit e klubit janë në punë për zbatimin e detyrave që ka lënë FSHF-ja për sezonin e ri. Edhe pse stadiumi i Peqinit është i licencuar, sekretari i klubit, Astrit Isaj, deklaron për Sportekspres.com se paralelisht me këto detyra, është punuar edhe për merkaton.

“Kemi për të mbyllur disa detyra nga FSHF-ja dhe me punonjësit e klubit ato do t’i përfundojmë pa nisur sezoni. Gjatë kësaj periudhe lojtarët e stafi teknik janë me pushime deri në 10 korrik, datë në të cilën mendojmë të nisim përgatitjet sezonin e ri.

Gjatë këtij muaji kemi kontaktuar me disa futbollistë këtu në Shqipëri dhe me dy të tjerë të huaj, sepse mendojmë që në Kategorinë e Parë skuadrës sonë i duhen edhe 5-6 përforcime”, deklaroi fillimisht Isaji.

Më tej ai tregon se do të rikonfirmohet edhe trajneri Artan Bano dhe do të mblidhen në klub për të përcaktuar axhendën e punës së përgatitjeve të sezonit. “Deri në fund të muajit qershor do të bëhet rikonfirmimi i trajnerit Bano dhe në dhjetë ditëshin e parë të muajit korrik do të nisim përgatitjet për sezonin e ri.

Kjo nisje me vonesë kushtëzohet edhe nga fakti se Shkumbini është skuadër që administrohet nga Bashkia dhe zgjedhjet e 30 qershorit na kanë imponuar këtë datë. Gjithsesi, këtë sezon Shkumbini do jetë dinjitoz në të Parën”, përfundoi zyrtari i klubip peqinas.

AGRON KAJA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *