Argjentina dhe Kolumbia kanë rënë dakord që të organizojnë së bashku Copa America 2020 dhe sapo kjo marrëveshje u bë publike, kanë plasur polemikat. Kjo për shkak se distanca mes dy shteteve është e konsiderueshme dhe kushtet atmosferike janë shumë të ndryshme.
Në Argjentinë, temperaturat janë shumë të ulëta në periudhën kur do të organizohet Copa America, ndërsa në Kolumbi, është shumë ndryshe, me temperature mbi 30 gradë. Edhe distanca mes dy shteteve, është shumë e madhe, plot 7500 km.
Për më tepër, është hedhur dhe ideja që finalja do të luhet me dy ndeshje, një në Argjentinë, e një në Kolumbi, brenda një jave. Futbollistët finalistë do të luajnë brenda 7 ditësh nga temperatura me minus, në +30 gradë. Për më tepër, do të udhëtojnë dhe 7500 km, kushte që rrezikojnë jo pak shëndetin e tyre.
Polemikat në rrjet janë të shumta, duke filluar që nga mediat, e deri te tifozët e kombëtareve pjesëmarrëse. Gjithë ky “bum” mediatik, pritet të ndikojë në organizimin e Copa America 2020, por deri më tani, këto janë kushtet në tavolinë.