Dëmtimet janë problematika më e madhe që kanë pasur pjesa dërrmuese e klubeve. Në çdo ekip këtë edicion ka pasur lojtarë që i janë nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale në gju apo kanë qëndruar jashtë fushave për javë të tëra për shkak të problemeve muskulore.
Për “Sport Ekspres” Ervin Kapaj tregon se pse ky edicion ka pasur një numër kaq të lartë dëmtimesh, duke u ndalur dhe te një rast i cili për të mund të konsiderohet si bast. Kapaj tregon për evitimin e operimit në rastin e Valdet Ramës, por në të njëjtën kohë edhe për rastet e ngjashme me lojtarë si Musolli, Vajushi, Ngo etj.
RIKUPERIMI I VALDET RAMËS – “Ishte një kënaqësi personale që mora gjatë rikuperimit në kohë record të Valdet Ramës. Duke parë dëmtimin që ai kishte dhe pasi kishte bërë shumë vizita tek mjekë dhe kirurg të ndryshëm, kisha kënaqësinë që më besoi mua rikuperimin e tij që të evitonte operimin. Ishte një vlerësim i detajuar i dëmtimit, pasi më parë i kishin parë vetëm rezonancën e tij. Nëse shihej vetëm ajo tregonte se ishte konsumuar menisku dhe duhej me çdo kusht ndërhyrja kirurgjikale. Duke parë dhe moshën që është 31 vjeç, menisku e humbet funksionin e tij. Nuk duhet parë vetëm rezonanca pasi mund të gabojmë. Ne vizitojmë pacient dhe jo fotografi, ndaj ky është një element shumë i rëndësishëm. Duhet bërë dhe vlerësimi klinik, për të parë simptomat. Në sport gabohet sepse bazohen vetëm tek ekot apo rezonancat. Një mjek sportiv duhet të bëjë vlerësimin për të përcaktuar kohën e rikuperimit”.
POSTIMI PËR RAMËN NJË BAST ME VETEN – “Dua të falënderoj klubin e Kukësit, pasi ma besoi lojtarin dhe nuk bëri asnjë ndërhyrje. Ata më besuan lojtarin, por e falënderoj dhe Valdetin për besimin që më dha vetë. Ishte më shumë se një sfidë për mua. Synimi është që koha e rikuperimit të jetë më e shpejtë. Futbolli do po ose jo, bëhet apo nuk bëhet. Mund të them se ishte një postim pak i nxituar, por me shpresën e madhe me eksperiencë kisha besim se do ia dilja dhe do ishte gati. Në fund erdhi rezultati dhe ai ishte në fushë e më pas shënoi”.
FATI I KEQ I KUKËSIT – “Pjesa më e madhe e lojtarëve të Kukësit kanë ardhur këtu dhe një pjesë e konsiderueshme kanë pasur problem me gjurin, apo tërheqje muskulore. E kemi thënë shpesh se kjo vjen nga terrenet. Kukësi ka ndryshuar shumë terren këtë edicion. Kur luan në sintetik është i dëmshëm, por e di ku luan. Kur kalon sa në sintetik e më pas në natyral, këto trauma akumulohen”.
DËMTIMET NË MASË – “Janë luajtur shumë ndeshje dhe nuk ka pasur terapi gjatë ndeshjeve. Traumat akumulohen dhe vijnë dëmtimet. Bëhen disa ndeshje në pak kohë. Të luash dhe të mos bësh terapi, mikrotraumat akumulohen dhe dalin në pjesë të ndyshme të trupit”.
BESIMI I LOJTARËVE – “Është një përgjegjësi e madhe që më besojnë, pasi ata e kanë punë dhe nuk duhet të neglizhosh apo të abuzosh. Duhet të japësh gjithnjë maksimumin sepse futbolli apo futbollistët janë në qendër të opinionit publik. Në mes është reputacioni. Eksperienca është arma më e fortë. Lojtarët kanë fituar dhe besim dhe e transmetojnë nga njëri tek tjetri dhe kjo më ka ndihmuar shumë”.
KËSHILLAT PËR KLUBET – “Duhet të investojnë tek stafi mjekësor i kualifikuar. Nuk duhen marrë njerëz pa eksperiencë, për faktin se kështu dëmtojnë dhe investimin e tyre. Duhet shumë kujdes, pasi nga pakujdesia dëmtimi mund të bëhet serioz. Marrim rastin e Maldin Ymerajt, i cili nëse do ishte trajtuar me kujdes për 10 ditë do ishte gati, por tani është i detyruar ta mbyllë sezonin para kohe. Faza e shkarkimit duhet të jetë pjesë e ekipeve, për mbingarkesat. Asnjë ekipi nuk i kushton që të marrë një makinë akulli dhe të krijojë vaska për lojtarët, për të shkarkuar ngarkesat që janë akumuluar. Fushat sintetike janë arsyeja kryesore e mikrotraumave”.