Mançester Junajtid mbylli në vend të gjashtë një kampionat shumë të vështirë dhe për t’u harruar. Luhatje të mëdha, mungesë loje dhe shumë probleme për “Djajve të Kuq”.
Pol Pogba shënoi 13 gola dhe dhuroi 9 asiste, por kjo nuk ka mjaftuar që në drejtim të francezit të vërshojnë kritikat. Pas humbjes në ndeshjen e fundit kundër Kardifit, mesfushori u bë protagonist i një grindje me tifozë të acaruar dhe zhgënjyer nga ironia e lojtarit.
E ardhmja e tij mund të jetë La Liga spanjolle. Reali i Madridit po e ndjek prej kohësh, pasi Pogba është dëshira e madhe e trajneri Zidan për repartin e mesit të fushës.
Patrik Evra është një nga miqtë e tij më të mirë. Ish-mbrojtësi i majtë ka luajtur 8 sezone në “Old Trafford”, por nuk i pëlqen aspak trajtimi që tifozët i bëjnë Pogbasë. Kur mungon dashuria është e vështirë të japësh maksimumin tënd dhe Evra ka një këshillë për patriotin e tij.
“Tifozët po e masakrojnë Polin dhe nuk e them këtë për t’i dalë në mbrojtje. Ai ka shënuar dhe dhuruar asiste më shumë se të gjithë në ekip. E kuptoj që vihet në dyshim lidershipi i tij dhe në disa ndeshje duhet të japë më shumë, por ai ka qenë futbollisti më i mirë i Junajtid në përgjithësi. Të gjithë merren me të, me jetën e tij dhe harrojnë atë që prodhon në fushë.
Mos të harrojmë se nga ky ekip, vetëm Pogba dhe De Gea mund të luajnë në çdo ekip të madh. Unë mendoj se do të largohet në fund të sezonit, sepse është e nevojshme të ndjesh dashuri aty ku luan. Tifozët e Junajtid të duartrokisnin edhe kur luaje keq në kohën time, ndërsa tani befasohem nga ofendimet e tyre”, përfundon Patris Evra.