Okpotu humb Flamurtarin, Starova duhet të ndryshojë plan

Laçi kishte një mundësi të mirë ditën e djeshme për t’u ngjitur në vendin e tretë, pasi Flamurtari e Skënderbeu u mposhtën, kurse Teuta u ndal në barazim pa gola në shtëpi. Gjithsesi bardhezinjtë duhet t’i gëzohen pikës së marrë me Kastriotin, pasi si shkoi ndeshja mund të dilnin edhe pa pikë. Krutanët kishin shënuar të parët me Taulant Markun dhe Lushkja në shtesë vendosi baraspeshën.

Tashmë duhet parë përpara dhe kjo javë u jep kurbinasve pikët e plota, pasi në program është ndeshja me Kamzën e përjashtuar nga kampionati. Bardhezinjtë do të presin rezultatin e ndeshjeve të tjera dhe shanset janë që të renditen të tretët në fundjavë.

Ndeshja e radhës për Laçin është në transfertë me Flamurtarin në Vlorë dhe ajo do të jetë një finale. Trajneri Sulejman Starova nuk do të ketë të gatshëm në atë sfidë sulmuesin Antoni Okpotu. Nigeriani u ndëshkua me karton të verdhë në përballjen me Kastriotin dhe për të ishte i katërti. Kështu do i duhet të shlyejë pezullimin.

Alternativat për sulmin nuk janë të shumta për Starovën, i cili pret që të rikthehet Malik Mane. Sulmuesi me leje të klubit ndodhet në Senegal dhe do të rikthehet në Shqipëri javën e ardhshme dhe do të stërvitet normalisht për ndeshjen ndaj Flamurtarit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *