Tomori rrezikon shumë që sezonin e ardhshëm të garojë në Kategorinë e Dytë. Elbasani dhe Turbina fituan në fundjavë, ndërkohë që në Berat po përgatiten për një finale me verdheblutë në shtëpi. Pavarësisht situatës, ende ka shanse shpëtimi.
Elton Fani, ish-futbollist i Tomorit, pjesë e stafit beratas prej vitesh, për SportEkspres.com ka deklaruar: “Se çfarë ndodhi në ndeshjen Elbasani-Apolonia u pa qartë në lojë e në rezultat. Për ne tashmë ka një mision që nuk e mendoj të vështirë, por të arritshëm. Do të luajmë edhe tre ndeshje deri në fund të kampionatit dhe do bëjmë detyrën tonë deri në minutën e fundit, me besimin se do të marrim pikët që na sigurojnë mbijetesën në Kategorinë e Parë”.
Më tej ai shtoi: “Ne po stërvitemi mirë për t’i përballuar me sukses tre finalet e fundit. Këtë javë presim Elbasanin në fushën tonë dhe nuk kemi asnjë synim tjetër veç fitores. Në Fier luan Turbina dhe këtu do besoja shumë te morali i pastër e ndershmëria që drejtuesit e kësaj skuadre kanë deklaruar këto ditë në media”.
ANKESA E KLUBIT – Përmes faqes zyrtare në “Facebook”, Tomori tregon se lojtarët nuk po kalojnë një moment të mirë. Nuk lihet pa u theksuar se ekipet e tjera nuk po bëjnë garë të ndershme, teksa në postimin e klubit thuhet: “Tomori ka zbritur pasditen e sotme në fushën e blertë të stadiumit, për të vijuar rregullisht përgatitjet e javës anti-Elbasan. Një ndeshje deçizive për objektivat e klubit, të cilën duhet ta kalojmë pozitivisht, në mënyrë që të mos rrezikojmë. Në këto pozita, veç gjendjes së rënduar psikologjike që po kalojnë lojtarët, duhet të përballemi edhe me garën aspak të pastër të ‘bamirësve’ të këtij grupi. Megjithatë, jemi në momente që gjithçka mund ta rregullojmë vetë dhe do ta bëjmë me bindjen më të madhe”.