Majkëll Ngo nuk mund të luajë sot, pasi ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë. Në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport ai deklaroi fillimisht: “Më vjen keq që nuk e ndihmoj dot skuadrën, por kam besim se mund t’ia dalim. Më vjen keq që nuk i ndihmoj dot në sulm, por e rëndësishme është që kam besim”.
Nëse i kënaq apo jo barazimi, Ngo tha: “Dëshiroj që skuadra të fitojë. Një pikë është minimumi, është e nevojshme për skuadrën. Do ta marrim nëse vjen, por dua të fitojmë që të jemi më të qetë për të ardhmen”.
“Nervozizmi? Mu duk i tepruar kartoni me Kukësin. Me Kastriotin ndodhën shumë gjera. Në fushë jam agresiv në kuptimin e mirë të fjalës. Nuk kam qëllim të ngacmoj njeri. Nuk është çështje nervash. Jam profesionist, por kur jam në fushë kam atë pasionin”.
“E nisim mirë, por më pas ndodhi ajo që ne ndjemë se kishte mekanizma kundër nesh. Sikur dikujt nuk po i pëlqente ecuria jonë. Kjo ka ndikuar në skuadër dhe në fushën e lojës. Unë e përballoj një situatë të tillë”, përfundoi Ngo.