Apolonia rikthehet në Berat, aty ku pas javës së 17-të mori tre pikët në tavolinë. Beratasit tashmë kanë hyrë në zonën e rrezikshme të mbijetesës dhe pas pagesës së gjobës, rikthehen në stadiumin e tyre, pikërisht me fierakët në ndeshjen e javës së 23-të.
Skuadra e drejtuar nga Gentian Stojku e ka siguruar mbijetesën dhe këto ndeshje teorikisht duken si formale. Gjithsesi, numri 9 i fierakëve, Mario Gjata, deklaron për SportEkspres.com se do të bëjnë lojën e tyre më të mirë deri në fund të këtij kampionati.
“Në Berat do shkojmë të luajmë një futboll ‘fair-play’ dhe të marrim tri pikët. Për ne situata e ndeshjes së kaluar me Tomorin është e mbyllur dhe deri në fund të kampionatit do bëjmë lojën tonë. Nuk do t’i hapim rrugë asnjë skuadre, në çfarëdo pozicioni që të jetë në renditje”, u shpreh sulmuesi.
Gjata më tej flet për punën që bëhet me të rinjtë tek Apolonia. “Që nga faza e tretë Apolonia ka nisur një projekt për sezonin tjetër dhe po i jep prioritet të rinjve. Baza janë futbollistët që kanë luajtur këtë sezon. Personalisht falënderoj klubin e trajnerin për këtë punë që po bëhet, frytet e së cilës besoj se do të jenë shumë më të mira në sezonin e ardhshëm”, përfundon 19-vjeçari, autor i dy golave në kampionat këtë sezon.
AGRON KAJA