Tirana-Laçi ka prodhuar shumë debate. U luajtën 99 minuta lojë dhe në të fundit kurbinasit arritën të barazonin me anë të Redon Xhixhës. Bardheblutë nuk e pritën mirë diçka të tillë, ndërkohë që pati protesta të shumta drejt gjyqtarit Kridens Meta. Për të mos mjaftuar kjo, gjatë ndeshjes u godit me shishe në kokë anësori Nertil Bregasi, si dhe pati tension në korridore. Madje nuk munguan as grushtet.
Tirana sot ka dalë edhe me një qëndrim dhe ankohen për gjykimin dhe zgjatjen e lojës, por kurbinasit nuk pranojnë që të jenë ndihmuar. Jo vetëm kaq, por ata japin disa raste ku pretendojnë se janë dëmtuar. Drejtori i bardhezinjve, Naim Halili, liston episodet e ndeshjes dhe thekson se ndeshja duhet të ishte ndërprerë.
“Pretendojmë që goli i shënuar nga Sentamu duhej anuluar, sepse një nga lojtarët e Tiranës i kishte zënë rrezen portierit tonë. Sikurse shihet në video, ai ka qenë në pozicion jashtë loje.
Minuta e 52-të, një tjetër rast. Lojtari i Tiranës, konkretisht Grent Halili, ishte në pozicion jashtë loje. Në vazhdim u shkaktua penallti dhe lojtari ynë, Sefgjini, u ndëshkua me karton të verdhë.
Në minutën e 65-të kishte një rast tjetër, ku asistenti dhe kryesori e dhanë dhënë gol. Është dashur ndërhyrja e arbitrit të katërt që të anulohej ai gol i shënuar nga Halili.
Kobina, në minutën e 71-të, duhet të ishte larguar nga fusha e lojës me karton të kuq. Ndërhyrja e tij ndaj lojtarit tonë Eller ishte brutale.
Në minutën e 94-t, lojtari ynë Najdanov është ndëshkuar me pa të drejtë me karton të kuq. Dhe në minutën e 95-të loja duhet të ishte ndërprerë përfundimisht, pasi arbitri Bregasi mori një goditje në kokë me shishe.
Këto janë rastet, pasi t’i shikoni pretendimet e Tiranës, mund të më thoni se ku është favorizuar Laçi në këtë ndeshje. Ne jemi të viktimizuar nga ai gjykim skandaloz i treshes Meta, Bregasi, Agaraj”, shprehet Halili.
NËNTË MINUTAT SHTESË – “Shtesa mbi shtesë ishte shumë e sakte. U bë një zëvendësim, ku hyri Doka në vend të Halilit. Në minutën e tretë shtesë doli me karton të kuq lojtari ynë Najdenov dhe mjekët u futën në fushë për t’i ardhur në ndihmë gjoja Hasanit, pasi ai ua vodhi kartonin e kuq arbitrave duke aktruar shumë mirë. Tjetra, në minutën e 95-të u godit edhe anësori dhe aty përsëri u vonua loja. Për mendimin tim aty arbitri duhet ta kishte anuluar ndeshjen. Nisur nga gjithë arsyet e mësipërme, ne jemi të bindur që arbitrimi ishte në dëm të ekipit të Laçit”, deklaroi drejtori i Laçit.
INCIDENTI – Halili, ndër të tjera ka folur edhe për atë që ndodhi në korridore pas përfundimit të ndeshjes: “Kjo është videoja që tregon qartë që lojtari i Tiranes, Majkëll Ngo, me një sjellje prej vagabondi, fillon dhe ofendon në drejtim të ekipit tonë. Më e keqja mundohet të sulmojë presidentin e ekipit tonë. Kjo situatë ka sjellë edhe ato reagimet e stafit tonë deri sa stjuartët kanë qetësuar përfundimisht situatën. Edhe lojtari Sefgjini është goditur nga Ngo, Imami, dhe Doka. Kjo është e vërteta”.