Napoli u rikthye te fitorja në kampionat pas dy ndeshjesh. Ekipi i Ançelotit fitoi me rezultatin 4-2 me Udinezen. Ndeshje e bukur, gola dhe emocione në “San Paolo”. Portieri Ospina pësoi një dëmtim të rrezikshëm dhe i la vendin Meretit në fund të pjesës së parë, ndërsa Elseid Hysaj u fut në fushë vetëm katër minuta përpara fundit të ndeshjes.
Vendasit shënuan dy herë në pjesën e parë, por bardhezinjtë barazuan brenda gjashtë minutash. Pjesa e parë u mbyll në barazim 2-2, ndërsa e dyta riktheu Napolin në avantazh.
Polaku Milik shënoi me kokë golin e tretë, ndërsa vulosi fitoren me një gol shumë të bukur. Ky trepikësh e ngjit Napolin në kuotën e 60 pikëve. Juventusi kryesues numëron 15 pikë më shumë, ndërsa Milani i vendit të tretë (luan në darkë derbin përballë Interit) ndodhet 9 pikë më pak.
Napoli-Udineze 4-2
(Junes 17’, Kajehon 26’, Milik 57’, Mertens 70’ / Lasanja 30’, Fofana 36’)