Patris Evra ishte ndër të paktët që besonte fort te përmbysja e madhe e Juventusit përballë Atletikos së Madridit. Francezi postoi një video përpara ndeshjes, aty ku karikonte ambientin bardhezi me pozitivitet dhe besim për të rikthyer rezultatin 2-0 të ndeshjes së parë.
Mrekullia ndodhi dhe Kristiano Ronaldo me shokë ju dhuruan një mbrëmje magjike të gjithë tifozëve të “Zonjës së Vjeter”. Evra ka vendosur të bëjë publike bisedën e bërë me yllin portugez 5 ditë përpara ndeshjes së kthimit.
Bashkë kanë luajtur e fituar me Mançester Junajtid, janë miq të mirë dhe Patris e adhuron Kristianon. Ky i fundit është absolutisht më i miri në botë sipas Evrasë, i cili kërkon të nxjerrë në pah besimin, sigurinë dhe vendosmërinë e madhe të Kristiano Ronaldos.
“Nuk kam dyshuar kurrë te ti dhe mezi po pres ndeshjen e kthimit. Kam besim te ti, vëlla. Njerëzit janë gati të më vrasin sa herë që ti ose Juventusi humbasin”, i shkruan Evra, ndërsa juventini përgjigjet shkurt. “E di, do kualifikohemi, vëlla. Në shtëpi do t’i copëtojmë”, komenton Ronaldo, i mbushur plot besim e siguri.