Didier Deshamp ka shpallur listën e lojtarëve të grumbulluar për ndeshjet kundër Moldavisë dhe Islandës. Kampionët e botës janë në një grup me kombëtaren tone, që nis eliminatoret e Euro 2020 në ndeshjen kundër Turqisë, me datë 22 mars në “Loro Boriçi” të Shkodrës.
Trajneri i Francës ka befasuar me disa zgjedhje, por ai ka një shpjegim për gjithçka. “Blutë” kanë një brez shumë të mirë lojtarësh dhe do të ketë të pakënaqur, pasi jo të gjithë mund të luajnë.
Kurzava i PSG dhe Marsial i Junajtid janë rikthyer, Ndombele i Lionit është konfirmuar, ndërsa befason ftesa për Zuma. Krijojnë polemika mos grumbullimet e Lengle (Barcelona), Laport (Mançester Siti) dhe Lakazet (Arsenal) e Ben Jeder (Sevilja) në repartin ofensiv, por Deshamp mbron fort zgjedhjet e tij. I takon, njësoj ishte dhe para Botërorit, por ai tregoi se kishte të drejtë…
LENGLE – “Ne mendojmë gjithmonë për zgjedhjet që bëjmë. Nuk është vetëm Lengle. E dimë që Umititi ka qenë më ne për një kohë të gjatë. Ai ndodhet në një formë të mirë fizike. Umtiti është një lojtar i nivelit të lartë dhe zotëron një teknikë të nivelit të lartë, ndërsa Lenglet nuk ka eksperiencë ndërkombëtare. Ka edhe lojtarë të tjerë, të cilët mund t’i bashkohen kombëtares. Zgjedhjet tona janë të vështira. Lojtarët që nuk janë grumbulluar kësaj radhe e kanë gjithmonë derën e hapur. Loja e zhvilluar me klubin ka efektin e vet, por duhet të imagjinojmë dhe performancat e tyre me Francën në nivel ndërkombëtar, aty ku kërkesat janë të larta. Për fat të keq të atyre që nuk janë grumbulluar, mungesa e eksperiencës u rëndon. Lengle luan me një klub të madh, ka një rritje dhe përmirësim konstant dhe bën pjesë të mbrojtësit francezë të një niveli shumë të mirë.”
KURZAVA – “Kurzava është një lojtar, i cili ka kaluar vuajtje të mëdha. U rikthye dhe po tregon gjëra të rëndësishme. Ai ka eksperiencë me ne dhe ka filluar të aktivizohet me PSG. Ka kaluar një eksperiencë të vështirë si pasojë e dëmtimit, por është në rrugën e duhur.”
NDOMBELE – “Ai është një lojtar plot kualitet. Ishte me ne në nëntor dhe u përshtat shpejt. Ka potencë dhe zotëron një teknikë të mirë. E pamë dhe mbrëmë kundër Barcelonës, ku nuk pati probleme me qarkullimin e topit. Ka një pasim shumë të mirë dhe ka aftësinë për të ‘eliminuar’ kundërshtarin. Ka treguar si me Lionin, si me ne, që është një lojtar me potencial të madh.”
BAKAJOKO – “Ai mund të ishte pjesë e listës, siç ka qenë edhe disa herë në të shkuarën. Konkurrenca është shumë e fortë. Për shembull Nzonzi ishte me ne në Botëror, ndërsa tani nuk është. Po e vëzhgojmë progresin e Bakajokos, ai po gjen një nivel më të mirë dhe ka më shumë përgjegjësi tani”.
MARTIAL – “Antoni është pjesë e këtij grupi. Ka patur disa probleme fizike, por ka shpejtësi, inkursion dhe aftësinë e të shënuarit. Ka disa cilësi të veçanta për një lojtar ofensiv, cilësi shumë interesante.”
LAKAZET-BEN JEDER – “E di që nuk janë të lumtur. Ata po tregojnë gjëra të rëndësishme, por unë bëj zgjedhjet e mia. Nuk shikoj profilin e një lojtari, por në atë pozicion kemi Zhiru. Oliver po lufton me kohën, por kur luan, shënon. Ata e meritojnë një shans dhe e kam të vështirë faktin që nuk ua jap dot. Por, nuk mund të grumbulloj 3-4 lojtarë të të njëjtit rol.”