“Arena Kombëtare” është drejt përfundimit, ndërkohë që stadiumi i radhës që do të ndërtohet është ai i Kukësit. Do të jetë një investim i përbashkët i qeverisë shqiptare dhe Federatës Shqiptare të Futbollit. “Zeqir Ymeri” do të ketë një pamje tjetër dhe verilindorët do të mund të luajnë në shtëpi edhe përballjet e kupave të Europës.
Para disa kohësh kryeministri Edi Rama premtoi në Korçë rikonstruksionin e stadiumit “Skënderbeu”, ndërkohë që sot ai ka premtuar stadium edhe në një qytet tjetër. Në një takim me banorët e qytetit të Fierit, ai ka theksuar se ai qytet e meriton një stadium të ri, veç “Loni Papuçiut” ku aktualisht luan Apolonia.
“Do fillojmë punën për pallatin e ri të sportit, pasi keni pasur një skuadër kampione në basketboll, që stërvitej në Durrës dhe luante në Tiranë. Edhe i thonë Apolonia. As nuk i shikonit, as nuk ju shikonin. Pallatin e sportit do e ndërtojmë aty ku ka qenë këndi i vjetër i lojërave. Ndërkohë kemi folur edhe për stadiumin e ri të Fierit. E meriton të ketë një stadium, një stadium të ri, jo aty ku është i vjetri. Do të jetë diku ku do e vendosim me Bashkinë”, u shpreh Rama.