Klubet ishin njoftuar prej orësh dhe tashmë edhe Federata Shqiptare e Futbollit ka dalë me një komunikatë, ku njoftohet se këtë fundjavë nuk do të ketë futboll. Jo vetëm kaq, por do të vazhdohet kështu deri në rikthimin e Policisë së Shtetit në stadiume.
“Federata Shqiptare e Futbollit ju bën me dije se të gjitha ndeshjet e kampionatit kombëtar të futbollit të planifikuara këtë fundjavë nuk do të zhvillohen si rrjedhojë e vendimit të marrë nga Bashkimi Arbitrave Shqiptar të Futbollit (BASHF) për të bojkotuar të gjitha ndeshjet deri në rikthimin e Policisë së Shtetit në stadiume.
FSHF shpreh mbështetjen maksimale ndaj të gjithë trupës arbitrale në Shqipëri dhe vlerëson e respekton vendimin e marrë prej tyre. Ne kërkojmë reagimin e të gjithë aktorëve për të larguar përfundimisht dhunën, për të garantuar rendin dhe sigurinë publike në stadiume, si parakushti themelor për të pasur një garë të shëndetshme dhe brenda standardeve”, shkruhet në njoftimin e Federatës Shqiptare të Futbollit.
Tashmë pritet të shihet se çfarë do të bëjë Policia e Shtetit në vazhdim. Tashmë kjo kthehet në një çështje serioze, pasi ndalimi i futbollit në një vend është me të vërtetë një çështje që kalon kufijtë e një debati mes Policisë së Shtetit dhe Federatës Shqiptare të Futbollit.