Isli Hidi, portieri i Teutës, pranon momentin jo të durrsakëve, që në dy ndeshjet e fundit kanë marrë vetëm një pikë. Barazimi me Skënderbeun u ka mbetur peng “Djemve të Detit” dhe diçka të tillë e shpreh edhe vetë portieri.
“Ekipi pa kalon një ngërç të vogël. Futbolli ndaj është i bukur, që merr rezultate atëherë kur nuk e pret, sikurse edhe i le. Dy pikët i lëna me Skënderbeun na vrasin disi, pasi ishim në avantazh të dy golave. Kemi edhe në përgjegjësitë tona për atë ndeshje”, deklaron Hidi.
Ndeshja e së premtes kundër Partizanit është në fokusin e “gardianit”, i cili deklaron: “Partizani është me meritë i pari, ka bërë kampionat të mirë. Nuk ka diferenca mes ekipeve. Është ndeshje e vështirë për ne. Besoj se edhe këtë ndeshje shkojmë për të marrë maksimumin, pavarësisht pozicionit që ka kundërshtari”.
Hidi më tej thekson se Teutës vetëm fati i ka munguar, pasi pjesa tjetër po shkon mjaft mirë. “Prurjet duan kohë, por nga java në javë ekipi po konsolidohet. Nuk kemi çaluar aty, na ka munguar fati. Uroj ta kemi në ndeshjet e radhës”.
“Titulli? Tifozët duan më shumë, ne si lojtarë e kemi thënë që duam kupat e Europës. Jemi në rrugën e duhur, drejt objektivave tona. Besoj se deri në fund të kampionatit do ia arrijmë qëllimit”, përfundoi Hidi deklaratën e tij në “Supersport”.