Venecia nuk po kalon një formë të mirë. Ekipi i Xhakomo Vrionit pësoi kundër Veronës humbjen e tretë rresht në Serie B dhe të katërtën në pesë ndeshjet e fundit.
Drejtuesit nuk duruan më dhe vendosën të shkarkonin Valter Zengën. Roli i trajnerit i është besuar një eksperti si Serse Kozmi, i cili është gati për të nisur aventurën e re. Venecia renditet e katërta nga fundi dhe do të luftojë fort deri në fund për të siguruar qëndrimin në kategori.
Kozmi është një trajner i njohur në Itali. Ai u bë i famshëm me Peruxhian vite më parë dhe njihet për karakterin e tij të nxehtë dhe deklaratat pikante. Kështu ka ndodhur dhe gjatë kësaj radhe.
“80% e trajnerëve punojnë në bazë të pritshmërive, ndërsa pjesa tjetër kënaqen me faktin që nuk janë shkarkuar ende. Nuk pres asgjë normale nga ky lloj futbolli. Shkarkimi i Zengës besoj se ka qenë një vendim i vështirë në të gjitha aspektet. Unë isha me valixhe gati prej kohësh. Isha bërë si gratë shtazëna, të cilat mezi presin për të lindur”, deklaroi trajneri gjatë prezantimit te Venecia.