Gazeta “La Repubblica” ka publikuar një lajm të bujshëm në lidhje me një investim kolosal të përbashkët midis Milanit dhe Interit. Sipas asaj që raporton e përditshmja italiane, drejtuesit e dy klubeve kanë rënë dakord që t’i dërgojnë bashkisë një projekt të përbashkët për ndërtimin e një stadiumi të ri modern.
Ky është një ndryshim i rëndësishëm, pasi më parë të dy klubet kishin rënë dakord për të ndarë kostot e rinovimit total të San Siros, plan ky që mbështetej fuqimisht nga Interi, por mesa duket drejtuesit e zikaltërve kanë ndërruar ide.
Projekti i stadiumit të ri do të jetë i bazuar në stadiumin amerikan “MetLife Arena”, ndërsa kosto pritet t’i kalojë 600 milionë euro. Për të mbuluar një pjesë të shpenzimeve, klubet kanë rënë dakord që të shesin të drejtat e emrit të stadiumit si rasti i Arsenalit në Angli. Nga kjo marrëveshje e sponsorizimi, pritet që klubet të përfitojnë të paktën 25 milionë euro në sezon.