Majkëll Ngo mund të ishte heroi i Tiranës në derbin me Partizanin, por portieri Alban Hoxha e ndaloi sulmuesin e bardhebluve. Pas ndeshjes, “gjiganti” anglez u ndal dhe foli për sfidën me të kuqtë dhe theksoi se skuadra e tij bëri një ndeshje shumë të mirë, duke treguar që nuk e meriton pozicionin në tabelën e klasifikimit.
Ngo pranon që duhet të ishte më i përqendruar në finalizim, por gjithsesi shikon përpara. Atmosfera në derbi nuk mund të mos komentohet prej sulmuesit, ndërkohë që thekson se pjesëmarrja në Europa League është krejtësisht në duart e tyre. Në fund flet edhe për të ardhmen, por Ngo nuk zbulon shumë gjëra, ashtu sikurse nuk i intereson as kush është skuadra favoritë për titullin kampion.
NDESHJA – “Fati nuk ishte me ne këtë radhë, ndonëse luajtëm shumë, shumë mirë, veçanërisht në pjesën e parë. I treguam vetes, që pozicionin që kemi në renditje nuk e meritojmë nëse luajmë kështu si me Partizanin. Pjesa e mbetur e sezonit do të jetë shumë e mirë për Tiranën, zhvilluam një ndeshje të madhe dhe u mundova të ndihmoj ekipin. Të gjithë u munduam të luajmë për njëri-tjetrin dhe skuadrën. Ishte ndeshje e mirë”.
RASTET E HUMBURA – Ngo në pjesën e parë mund t’i jepte Tiranës avantazhin, por nuk ia doli dot: “E di, e di dhe më vjen keq për rastet e humbura. Ky është futbolli. Duhet të fokusohem më shumë në çastin e fundit, por në raste të tilla duhet edhe pak fat. Veten e konsideroj të pafat në këtë takim, pasi goli më mungoi për pak gjë”.
ATMOSFERA NË DERBI – “Ishte e mrekullueshme. Tifozët ishin spektakolarë dhe kjo është arsyeja për të cilën luhet futbolli. Atmosfera ishte e papërshkrueshme. Nuk ka fjalë të ta përshkruar atmosferën. për një ndeshje futbolli”, shprehet sulmuesi, i pyetur për atmosferën e krijuar në derbi.
“Tifozët meritojnë më shumë? Po, por Tirana është në ndërtim e sipër. Sapo jemi kthyer nga një periudhë negative, si ajo e sezonit të fundit. Klubi ka nisur ndërtimin e një skuadre për Superioren. Tifozët po i shikojnë kapërcimet që po bëjnë dhe përparimin e lojtarëve. Ata e shohin çfarë mund te bëjnë lojtarët individualisht dhe çfarë mund të bëjmë si ekip. Sa i përket derbit, mendoj se ne luajtëm shumë mirë në disa perioda të ndeshjes. krijuam shanse dhe meritonim ta fitonim takimin”, shtoi anglezi.
TIRANA E KËTIJ VITI – Për të shkuar larg duhen sa më shumë fitore, sikurse edhe shprehet Ngo: “Duhet të ecim në këtë rrugë, që të mos mundemi dhe të fitojmë sa më shumë ndeshje në vijim. Ndaj Partizanit morëm një pikë, por në ndeshjen e radhës duhet të fitojmë. Ne do të provojmë që të fitojmë sa më shumë ndeshje që të mundemi, pasi kemi të bëjmë me një Tiranë të re dhe një atmosferë të re”.
PJESËMARRJA NË EUROPA LIGË – Sulmuesi shtatlartë i bardhebluve mendon se Tirana mund ta arrijë objektivin sezonal, edhe pse e nisën keq sezonin. “Nuk kam asnjë dyshim që ne mund të arrijmë atë që i duhet të arrijë një ekipi si Tirana. I kemi lojtarët, kualitetin, trajnerin, mbështetjen e presidentit dhe drejtuesve, si dhe të tifozëve. Kështu që pjesëmarrja në Europë varet nga ne”, u shpreh futbollisti i bardhebluve.
E ARDHMJA – “Jam i lumtur me momentin që po kaloj te Tirana, kështu që do i marrë ndeshjet dhe hapat me radhë. Nuk i shikoj gjërat kaq larg. Mendja ime është e përqendruar te ndeshja e radhës e Tiranës dhe që të shënoj gol. Nuk shikoj kaq larg, por jam i lumtur tani. Do e pranonit një ofertë nga Partizani sezonin e ardshëm? Dëgjo! Jam lojtar i Tiranës dhe jam shumë i lumtur këtu. E kam në gjakun tim këtë skuadër dhe nuk mendoj për asgjë tjetër”, deklaron qartazi Ngo.
FAVORITI PËR TITULLIN – Tirana është jashtë garës për titull, ndërkohë që Ngo, kur pyetet se kush është favoriti për titull, Partizani, Kukësi apo Teuta, ai thotë: “Nuk e di, ju e shikoni vetë. Dëshira ime është që të ishte Tirana. Të jem i sinqertë, gjersa nuk është Tirana në këtë betejë, nuk më intereson fare se kush është favorit”.
VLADIMIR PRENGA