Barcelona synon “parakalimin”, përballë Realit për të shkruar historinë!

Barcelona fitoi me rezultatin 0-3 të mërkurën në mbrëmje kundër Realit të Madridit, duke u kualifikuar në finalen e Kupës së Mbretit. Ndeshja e parë e zhvilluar në “Camp Nou” përfundoi në barazim 1-1, ndërsa dygolëshi i Suarez dhe autogoli i Varan vendosën sfidën e kthimit dhe avancimin më tej të ekipit të Valverdes.

Kjo ishte një fitore e rëndësishme për Barcelonën, që ka barazuar me fitore “armiqtë” e Realit në ndeshjet mes tyre, siç raporton “Mister Chip”. Triumfi në “Santiago Bernabeu” i ka ngjitur katalanasit në kuotën e 95 fitoreve përballë Realit në 241 ndeshjet e zhvilluara mes tyre. Po kaq fitore kanë arritur dhe “Los Blancos”, ndërsa 51 duele janë mbyllur pa fitues.

Të shtunën në mbrëmje do të jetë një sfidë e rëndësishme për titullin kampion, por jo vetëm. Barcelona kërkon të shfrytëzojë momentin e mirë dhe një tjetër fitore kundër ekipit të Solarit do ta çonte diferencën në kampionat në 12 pikë, duke nxjerrë përfundimisht nga gara Realin, por dhe do të bënte të mundur kalimin përpara në ndeshjet direkt, që nga viti i largët 1932!

Dy dekadat e fundit kanë qenë të mrekullueshme për Barcelonën. Ata kanë dominuar totalisht kundër Realit, duke arritur të barazojnë numrin e fitoreve në ndeshjet direkte. Deri në vitin 2003, Barcelona kishte arritur të fitonte vetëm 13 “El Classico” kundër Realit në “Santiago Bernabeu” në 74 ndeshje, ndërsa pas vitit 2004 ata kanë arritur të fitojnë 12 nga 24 ndeshjet e zhvilluara në stadiumin e kampionëve në fuqi të Europës.

Disa prej tyre janë të paharrueshme si: fitorja 2-6 në 2009, ajo 0-4 në 2015, 2-3 me golin e Mesit në minutat shtesë në vitin 2017 dhe ajo 0-3 e sezonit të fundit. Tashmë pritet fitorja e përmbysjes së madhe, që do dërgonte katalanasit në kuotën e 96 fitoreve, por të njëjtën gjë do kërkojë dhe Reali me qëllimin për t’u kthyer në epërsi kundrejt rivalëve të përjetshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *