Portieri i Vllaznisë, Alen Sherri mbron portën e Vllaznisë prej disa sezonesh tashmë, edhe pse në moshë të re. 21-vjeçari është një portier shumë i talentuar dhe një nga emrat më cilësorë te skuadra shkodrane. Sot, Sherri ka folur për “StarPlusTV”, ku ka prekur shumë tema. Fillimi i karrierës, rrugëtimi deri më tani, idhulli i tij dhe e ardhmja.
VITI HISTORIK – “Në fakt, 100 vjetori është një datë historike për Vllazninë. Është ekipi më i vjetër në Shqipëri, më me shumë histori dhe askush nuk mundet ta hedh poshtë këtë gjë. Jam shumë i lumtur që jam pjesë e Vllaznisë në këtë vit të shënuar, por nuk më vjen mirë që ndodhemi në këtë kategori”.
VLLAZNIA – “Ëndrra e çdo fëmije shkodran është që të luajë me Vllazninë. Që kur isha fëmijë doja të luaja me Vllazninë dhe e vlerësoj shumë faktin që arrita këtu. Për mua është ekipi më i mirë në Shqipëri dhe nuk mendoj asnjë gjë tjetër”.
SITUATA – “Vllaznia është në rrugën e duhur për t’u rikthyer në Superligë. Punët kanë ecur mirë dhe jemi 10 pikë larg vendit të dytë. Kemi krijuar një shkëputje të kënaqshme, por nuk duket të mjaftohemi me kaq, por të arrijmë sa më shpejt edhe matematikisht titullin kampion”.
ATMOSFERA BRENDA GRUPIT – “Sigurisht, për ne çdo ndeshje është e rëndësishme për ne dhe kur atmosfera është e mirë në skuadër, mund t’ia dalim. Kampionati ka treguar se nuk ka ekipe të dobëta dhe të gjitha skuadrat duan të mundin Vllazninë”.
STËRVITJA – “Për mua, asnjë ditë e stërvitjes nuk më mërzit. Ne kemi fatin e mirë që e kemi punë një pasion që kemi dhe kjo është gjëja që na motivon më shumë. Në futboll, motivimi më i madh është që të arrijmë sa më shumë dhe të shkojmë sa më lart”.
FILLIMI – “E kam nis futbollin krejt rastësisht. Shkova për të parë vëllanë në stërvitje dhe atë ditë, mungoi një portier. U futa unë në portë dhe rastësisht, kundërshtari nuk më bëri asnjë gol. Trajneri më kërkoi që të shkoja të nesërmen sërish në një ndeshje dhe gjithçka shkoi mirë. Trajneri vendosi të më mbajë dhe aty filloi gjithçka. Isha vetëm 10-vjeç kur kam filluar stërvitjen”.
RRUGËTIMI – “Ka qenë një rrugë shumë e vështirë, sidomos në vitet e para. Kam bërë shumë sakrifica dhe kjo është diçka që një sportist e bën edhe më të fortë. Shkodra ka shumë talente dhe kryesorja është të mos ndalosh asnjëherë së punuari”.
DYSHIMET – “Në fakt, çdo gjë ka ulje-ngritjet e veta. Kur kam pasur uljet më të mëdha, kam pasur disa dyshime nëse do t’ia dal apo jo dhe kam menduar edhe të ndaloj. Por familja ka qenë shtysa ime më e madhe dhe gjithmonë kur shkoja në shtëpi, të gjithë familjarët më mbështesnin që të vazhdoja sërish”.
MARRËDHËNIA ME TIFOZËT – “Shkodra ka edhe shumë tifoze… (qesh). Më vjen mirë që në Shkodër ka shumë tifozë dhe janë një shtysë shumë e madhe për ne. Edhe kur ekipi është në momente të vështira, tifozët na kanë mbështetur. Nuk e di çfarë mendojnë tifozët për mua, por mund të them se gjithçka është mirë deri më tani. Duhet të bashkohemi të gjithë së bashku që të arrijmë qëllimet tona”.
HUMBJET – “Kur humbasin ndonjë ndeshje, dita më pas është më e vështira. Duket sikur s’ke motivim dhe asgjë s’ia vlen. Gjithsesi, gjithmonë i lëmë pas dhe punojmë më shumë. Në Shkodër, është e vështirë që të kalosh në rrugë dhe të mos hasësh tifozë, prandaj humbjet duhen anashkaluar (qesh)”.
NDESHJA MË E MIRË – “Ndeshjen e parë timen e kujtoj shumë mirë. Ka qenë një derbi me Tiranën dhe ka qenë një ndër derbit më të bukur në Shqipëri. Ajo ndeshje do të mbahet mend gjatë. Ndërsa ndeshja më e mirë ka qenë një fitore që morëm kundër Skënderbeut në Shkodër, pasi i gjithë ekipi ishte perfekt”.
IDHULLI – “Për mua influenca më e madhe është Iker Kasijas. Edhe Nojer është një portier i madh, por më duhet të them Kasijas”- përfundoi Sherri.