Pasditja absurde pa futboll: Tomori nuk denjoi as të njoftonte, në Ballsh festojnë për… Lushnjën!

Ashtu si kishte paralajmëruar në media, Tomori nuk e mori fare mundimin të shkonte në Ballsh të dielën. Zyrtarisht në shenjë proteste ndaj dënimit nga FSHF me humbje në tavolinë ndaj Apolonisë, por mbi beratasit qëndron hija e dyshimit se thjesht kanë shmangur një transfertë ku i priste humbja.

Bojkoti vetëm për një ndeshje është një absurditet tipik shqiptar, sepse nëse vendoset për bojkot, çohet lufta deri në fund dhe këtë gjë shumica e tifozëve e kanë thënë troç, duke dalë kundër vendimit të klubit.

Arbitri i ndeshjes në Ballsh, Indrit Myrtja, ka zbatuar rregulloren, duke pritur një orë për beratasit, që as që kishin njoftuar ndokënd zyrtarisht se nuk do të udhëtonin për në Ballsh.

Natyrisht, humbja në tavolinë 3-0 është sipas rregullores, ashtu si ndonjë gjobë, por në Berat i kanë bërë llogaritë, pasi fundja gjoba vlen aq sa shpenzimet për udhëtimin.

Në Ballsh ka pasur zhgënjim, për faktin se prisnin të luanin dhe të fitonin në fushë, por ndërkohë lajmi se Lushnja mundi Besën ishte surpriza më e bukur e ditës, sepse kreu është gjithnjë e më shumë i blinduar.

Trajeri i Bylisit, Veljko Dovexhan, pas përfundimit të ndeshjes së Lushnjës deklaroi: “Prisnim të luanim, na duhej edhe për të mbajtur ekipin në formë, por jam dyfish i kënaqur ditën e sotme, pasi jo vetëm që formalisht presim një fitore në tavolinë, të cilën nuk e diskutoja që do ta meritonim edhe në fushë, por na kënaq humbja e rivalit tonë Besa në fushën e Lushnjës. Është një rezultat më shumë se i favorshëm për Bylisin,  edhe një shenjë pozitive për një garë korrekte nga Lushnja. Tani do të punojmë fort gjatë gjithë javës, me qëllim që mungesa e ndeshjes me Tomorin të mos na ulë përqendrimin dhe do të punojmë shumë që ndeshjen e fundit të fazës së dytë ndaj Orikumit ta mbyllim me fitore“.

EDI SPAHIU

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *