Largim i Valon dhe Mërgim Berishës nga Red Bull Salcburg, bëri që numri i shqiptarëve në ekipin e parë të kampionëve të Austrisë të shkonte në 0, por kjo zgjati vetëm pak muaj. Albert Vallçi është shqiptari i radhës që bën pjesë në skuadrën kryesuese të Bundesligës austriake.
Qendërmbrojtësi me origjinë nga Kosova është 23 vjeç dhe transferimi i tij nga Vaker Insbruk te Salcburgu u krye gjatë merkatos së janarit për 750 mijë euro.
Vallçi mund të konsiderohet si ato futbollistë që kanë pasur një shpërthim të vonë, pasi ka vetëm pesë muaj që po luan në elitën e futbollit austriak. Në gjashtë vitet e tij të mëparshme si profesionist Vallçi është aktivizuar vetëm me ekipe të kategorive të dyta ose të treta.
Mbetet për t’u parë se cila do të jetë zgjedhja e të riut, i cili për momentin disponon vetëm pasaportën austriake. Një tjetër detaj i rëndësishëm është dhe fakti që Austria nuk i lejon shtetaseve dyshtetësinë, përjashto këtu disa raste të veçanta.