Egnatia gati për kampionatin, Sinella i kënaqur nga afrimet

Të shtunën në mesditë skuadra e Egnatias ka luajtur miqësoren e fundit për muajin janar. Ajo u fitua nga rrogozhinasit me rezultatin minimal 1-0 me golin e lushnjarit Mikel Canka, ndërsa trajneri Bledar Sinella sot deklaron për SportEkspres.com se, ky ishte një test, por skuadra tashmë është në përgatitje për ndeshjen e radhës në kampionat ku do të presë Orikun në stadiumin “Hasan Zyla”.

“Gjatë këtyre tre javëve përgatitje në muajin janar, Egnatia i ka patur prezentë të tre elementët e minifazës: stërvitje, miqësore dhe merkato. Duke e parë gjendjen në të tre këta tregues, mendoj se tashmë skuadra është e plotësuar dhe e gatshme që ta rinisë këtë sezon me sukses. Ngarkesat që janë marrë gjatë kësaj periudhe besoj se do të jenë më optimalet që skuadra ta përballojë me ritëm gjysmën e dytë të sezonit, e cila do të jetë shumë e vështirë”.

Ndërsa për merkaton që Egnatia ka bërë gjatë muajit janar 2019, Sinella thekson se janë blerje të cilat do të ndikojnë pozitivisht në synimet që kjo skuadër ka në këtë sezon. “Gjatë merkatos në këtë muaj ne kemi afruar Franc Bakallin, Ervis Trokën, Jurgen Voglin, Armand Pashën dhe Xhuljo Miranin, të cilët e kanë justifikuar me formën që kanë treguar, kryesisht në ndeshjet miqësore. Kjo është java e përgatitjes për ndeshjen me Orikun, në të cilën tri pikët janë synimi i vetëm”.

AGRON KAJA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *