Piatek, me emrin e ndërlikuar Krzysztof, është që sot e tutje sulmuesi i ri i Milanit. Më në fund ka ardhur edhe zyrtarizimi, pas orësh të gjata pritjeje, me klubin kuqezi që ka lëshuar një komunikatë për mediat, njëkohësisht me Çelsin, që zyrtarizonte blerjen e Gonzalo Higuain.
Piatek, 23 vjeç, është transferuar nga Xhenoa te Milani për 35 milionë euro, të paguara që tani, plus bonuse.
13 gola në kampionat deri tani, polaku ka habitur Europën dhe pakkush e priste që Milani të fitonte garën me klubet angleze apo spanjolle, por ka pasur rëndësi dëshira e lojtarit, si dhe fakti që Milani ka qenë më i vendosur për të marrë që në janar.
Gati një kontratë 4,5-vjeçare, me 2 milionë euro në sezon, si fillim, sepse nëse Piatek shënon si në Xhenova, paga do të shkojë në qiell.
Ndërkaq, Piatek nuk ka marrë numrin 9, numër që duket sikur i sjell ters çdo sulmuesi që e vesh prej shumë vitesh. Polaku do mbajë numrin 19, atë që mbante Leonardo Bonuçi në kuqezi.