Kukësi kreu një fazë përgatitore mjaft të mirë dhe cilësore në Antalia të Turqisë. Kushte fantastike, miqësore të rëndësishme dhe asnjë dëmtim i pësuar. Ekipi i Cungut siguroi dy fitore dhe u mposht përballë Bashakshehirit, kryesuesve të kampionatit turk.
Ylli Shameti ka folur me nota pozitive për fazën përgatitore, ndërsa komenton dhe afrimet e dyshes Shkurtaj-Rroca nga Luftëtari për “SuperSport”. Kapiteni ndalet dhe te Rexhinaldo, merkato e ekipit, që ka të mirat dhe të këqijat e veta, dhe e mbyll me objektivin e klubit verilindor që dihet, është titulli kampion.
FAZA PËRGATITORE – “Mendoj se kemi bërë një 12-ditësh fazë përgatitore në kushte optimale. Nuk është viti i parë që shkojmë, por mendoj që Turqia të ofron shumë fusha të mira, por dhe miqësore me ekipe shumë të forta, siç kemi bërë dhe këto tre miqësore. Logjikisht miqësoret nuk janë në nivelin e ndeshjeve zyrtare, por shpresoj që kjo të na shërbejë për kolaudimin e ekipit dhe fillimin sa më të mirë të dy fazave të mbetura të kampionatit.”
SHKURTAJ-RROCA – “Çdo lojtar ka nevojë për t’u përshtatur, aq me tepër kur vijnë nga një ekip tjetër. Gjëja e mirë është që janë lojtarë shqiptarë, e njohin kampionatin dhe besoj se do të na ndihmojnë shumë me cilësitë e tyre. Shpresoj të integrohen me ekipin sa më shpejt dhe mendoj se do të jenë dy blerje të goditura, të cilët do të na ndihmojnë në fund në realizimin e objektivave.”
REXHINALDO – “Ne jemi lojtarë dhe askush nuk e pranon stolin. Kjo është një gjë e mirë, pasi, nëse një lojtar pranon stolin, do të thotë që nuk mund të presësh shumë nga ai. Rexhinaldo ka bërë mirë në dy fazat e para, nuk ka patur një sulmues tjetër në krah që të rritet konkurrenca, por ardhja e Shkurtajt ka rritur konkurrencën. Mendoj se i përket stafit teknik se kush do të zbresë në fushë, por ai ka bërë një fazë përgatitore shumë të mirë, korrekte, serioze dhe mendoj se të dy do të jenë të nevojshëm për ekipin me cilësitë e tyre. Nuk ka çështje Rexhinaldo, por e rëndësishme është që të gjithë të bëjmë maksimumin për të ndihmuar ekipin dhe për të shprehur më të mirën në fushën e lojës.”
MERKATO – “Sa më shumë lojtarë të kesh aq më mirë është, por ndonjëherë të kthehen dhe kundër. Nëse merr lojtarë të mirë ata duan të luajnë, por edhe të mos kesh lojtarë prapë është keq. Nëse deri në minutat e fundit të merkatos do të vijë ndonjë lojtar që stafi apo presidenca e kanë menduar se do të na shërbejë akoma më mirë, mirë se të vijë.”
OBJEKTIVI – “Kukësi gjithmonë ka bërë investime për titullin kampion, të paktën në 3-4 vitet e fundit. E kam diskutuar dhe me çunat që të gjithë lojtarët që kanë ardhur ose do të vijnë, duhet të dinë se ku po vijnë. Duhet të njohin se Duhet të njohin se çfarë presidenti dhe çfarë objektivash ka te Kukësi. Po të jesh lart, presioni është më i madh. Padyshim që kemi bërë shumë gabime në dy fazat e para, por kemi rikuperuar në ndeshjet e fundit. Objektivi nuk ka ndryshuar në momentin që kemi bërë gabime nga ana e klubit apo ana jonë, por thjeshtë jemi fokusuar më shumë në fushën e lojës për të marrë pikët dhe për të rikuperuar. Dihet se objektivi i titullit shkon sinkron dhe paralelisht me investimet, që janë bërë në mënyrën e duhur. Besoj dhe shpresoj që në maj titulli të kthehet pas një viti pushim në Kukës. E ardhmja? Duhet parë hap pas hapi. Nuk është vështirësi e madhe për të diskutuar për çështjen e vitit tjetër.”