Hajduku i Splitit para pak ditësh ka nënshkruar me sulmuesin anësor Françesko Tahiraj, të cilin e bleu nga sllovenët e Aluminij. Ardian Ismajli dhe Emir Sahiti janë gjithashtu pjesë e kroatëve, kurse jashtë planeve ka dalë mbrojtësi i majtë Hysen Memolla.
Por në fokusin e Hajdukut janë edhe dy shqiptarë të tjerë, të cilët kanë mbërritur në provë. Një është sulmuesi i Apolonisë, Redon Mihana. I riu kurbinas, i cili ka spikatur sezonin e shkuar me fierakët, do tentojë të bindë klubin kroat.
Ai po testohet tek ekipi i dytë, ndërkohë që burime të “SportEkspres.com” pranë klubit të Apolonisë bëjnë me dije se Hajduku kërkon ta blejë menjëherë sulmuesin 19-vjeçar. Nuk flitet për shifra, por për lojtarin e Shqipërisë U20 do ishte një hap përpara.
Arb Manaj është lojtari tjetër që po testohet te Hajduku. Futbollisti 22-vjeçar luan në qendër dhe në në të dy krahët e sulmit, ndërkohë që në të shkuarën ka qenë pjesë e skuadrës së Trepça ’89 në Kosovë. I riu ka luajtur edhe për Shqipërinë U17 dhe U19.