Mahir Halili nuk mund të mos flasë për sulmin. Si një ish-sulmues, analiza e tij për repartin e avancuar është normale dhe në një intervistë të dhënë për SportEkspres.com flet për shumë aspekte të futbollit tonë. Ndërkohë që duke ju referuar përgatitjeve të skuadrave tona gjatë muajit janar, Halili deklaron se terrenet shqiptare janë shumë të dobëta për të zhvilluar përgatitje me nivel që kërkon Kategoria Superiore.
Mahir Halili ka luajtur për 12 sezone në elitën e futbollit shqiptar, duke e nisur me Kastriotin në sezonin 1994-1995, e më pas me Dinamon, Tiranën e Partizanin, ndërkohë që ka luajtur edhe në Kroaci e Zvicër. Në sezonin 2002-2003 kur luante me fanelën e Tiranës, Halili ka qenë kryegolashënues i kampionatit me 20 gola të shënuar. Njëherësh, Mahir Halili ka luajtur edhe 13 ndeshje me Kombëtaren.
INTERVISTOI: AGRON KAJA
Përgatitje, miqësore dhe merkato, si e përshkruani ritmikën e skuadrave të Superiores në këtë periudhë përgatitore të janarit?
-Mendoj se skuadrat janë futur në këtë periudhë përgatitore me mundësitë që kanë patur. Natyrisht që secila prej tyre i ka nisur këto përgatitje sipas buxheteve që kanë, sepse ato ja kanë kushtëzuar gjithçka në këtë periudhë, njëherësh edhe për lëvizjet në merkato.
Sa mundësi përgatitore afrojnë terrenet në Shqipëri gjatë muajit janar?
-Terrenet shqiptare janë shumë të dobëta, e duke ju referuar motit me reshje shiu e bore, përgatitjet e skuadrave në Shqipëri kanë qenë më shumë në kalçeto, përjashtuar Partizanin me Kukësin që në Antalia që janë përgatitur në kushte shumë të mira stërvitore në këtë periudhë.
Deri më 27 janar që do të nisë faza e tretë e Kategorisë Superiore, çfarë mendoni se duhet të bëjnë skuadrat në këtë hapësirë?
-Kjo periudhë këtë model afron: përgatitje, merkato e ndeshje miqësore dhe besoj deri më 27 janar që do të nisë java e 19-të, të gjitha skuadrat kështu do të veprojnë. Por, gradualisht trajnerët do t’i ulin ngarkesat fizike dhe këto dy javë duhet të jenë më shumë në aspektin tekniko-taktik.
Gjysma e dytë e këtij sezoni nis ndryshe nga të kaluarit, pikërisht me 1/8 e Kupës së Shqipërisë, sa ju shërben ky ndryshim skuadrave të Superiores?
-E mendoj një ndryshim, që ju jep një javë kohë skuadrave që të riformatohen para fillimit të kampionatit. Trajnerët e lexojnë më mirë situatën në skuadër dhe në një javë kohë ata e shfrytëzojnë për ndonjë kolaudim, pse jo, edhe për ndonjë merkato në minutat e fundit.
Nga klubet e skuadrat e Superiores nuk është folur për përmirësimin e marrëdhënieve me tifozët, do të kemi sërish tifozë agresivë në stadiume dhe dënime kolektive të tyre?
-Së pari, unë mendoj se duhet të ketë pak tolerancë në dënimet e tifozëve, sepse ata janë ushqimi kryesor i ekipit në çdo ndeshje. Klubet duhet të punojnë me shoqatat e tifozëve, që të ndërtohen marrëdhënie normale. Dënimi i tifozëve të tyre është dënim edhe për skuadrën.
Nisur nga përgatitjet që po bëjnë skuadrat gjatë këtij muaji, pritet ndonjë surprizë në dy fazat e tjera të kampionatit?
-Që do ketë ndryshime gjatë këtyre dy fazave, kjo është e pritshme, por për ndonjë surprizë e kam me dyshim, sepse deri tani nuk kemi parë ndonjë gjë të veçantë nga skuadrat. Nuk kemi ndonjë lojtar tipik golashënues që të presim prej tij një “bum” në rezultate. Në veçanti mendoj se do mungojnë golat.
Si i parashikoni verdiktet e këtij sezoni në Kategorinë Superiore dhe në Kupën e Shqipërisë?
– Kupën mund ta fitojë edhe ndonjë nga skuadrat që është jashtë luftës për titullin, apo që rrezikon mbijetesën. Por nisur nga aktualiteti, Partizani e Kukësi do të jenë rivalët kryesorë për titullin, ndërsa Kastriotin e mendoj të rrezikuarin e parë për mbijetesë. Më afër tij deri tani duket Luftëtari.
Sa ndikim do të ketë te skuadrat në këtë gjysmë të sezonit, pasi është bërë zyrtare Liga Profesioniste?
-Çdo gjë që i shërben progresit, është në të mirën e futbollit. Dhe Liga këtë mision ka, por unë mendoj se më parë duhet të afrohen njerëz profesionistë në drejtim e menaxhim, duhet logjistikë e infrastrukturë më e mirë nga kjo aktuale. Ndryshe, kjo ligë do jetë formale.