Roma ka kaluar pa probleme ekipin e Entelës në Kupën e Italisë, duke avancuar drejt çerekfinaleve, pas fitores me poker golash, 4-0. Kryeqytetasit do të ndeshen në fazën tjetër me ekipin e Fiorentinës, ku ndeshja do të luhet në fushën e këtyre të fundit.
Sfida nisi me gol që nga tuneli për ekipin verdhekuq, teksa Patrik Shik shënoi pa u mbushur ende 60 sekonda nga fërshëllima e arbitrit. Pavarësisht golit të shënuar, ekipi i Di Françeskos nuk e uli ritmin dhe në fundin e pjesës së parë gjeti golin e dytë me anë të Ivan Markanos.
Fraksioni i dytë i sfidës, nisi në të njëjtën mënyrë si i pari, ku Shik këtë herë shënoi pas dy minutave, duke trefishuar shifrat. Në minutën e 75-të, pati vend për festë dhe për argjentinasin e mesfushës, Havier Pastoren, i cili shënoi dhe golin e fundit të takimit, për të mbyllur çdo gjë në shifrat 4-0.