Teuta shiti Amadu Latif, ndërkohë që interesim ka edhe për njërin nga lojtarët e tjerë të durrsakëve. Bëhet fjalë për sulmuesin Bubakar Faje Traore, i cili në të shkuarën ka qenë pjesë e Torinos. Mediat italiane zbulojnë edhe klubi që e do senegalezin.
Është Fermana, ekip i Serie C që interesohet për Traore. Në Durrës ai është parë të luajë edhe në treshen e mesfushës. Klubi italian ka larguar pak ditë më parë Luis Kaçorrin dhe tani po tenton lojtarin e Teutës.
Traore në pjesën e parë të sezonit është aktivizuar në 12 ndeshje, 8 prej të cilave i ka nisur nga minuta e parë. Duhet thënë se për 21-vjeçarin nuk është se kanë shkuar gjërat mirë, pasi ka pasur një dëmtim që e ka penalizuar.
Duke parë moshën e tij, te Teuta zor se do të privohen nga shërbimet e tij. Fermana bën pjesë në grupin B të Serie C dhe renditet në vendin e tretë. Objektivi është ngjitja në Serinë B, por Traore në Shqipëri ka mundësinë të luftojë për titullin kampion. Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë.
MERKATO – “Do marrim lojtarë nëse mund të na ndihmojë dhe të jetë më i mirë nga këta që kemi”, ky është refreni i kahershëm i trajneri Bledi Shkëmbi, i cili e ka përsëritur sërish në deklaratën e dhënë për Supersport.
Korçari e pranon se nëse do i kishin thënë në fillim të sezonit të firmoste në vendin e tretë, do e kish pranuar menjëherë: “Do firmosja për këtë pozicion në fillim. Duhet pritur deri në fund, atëherë kur bëhen llogaritë. Kemi bërë diçka të mirë deri tani. Është e rëndësishme të bëjmë mirë deri në fund dhe ta mbajmë këtë pozicion që kemi ne tani”.