Për presidentin e Bylisit, Besnik Kapllanaj, kompletimi i skuadrës që ai drejton duket si me pikatore në këtë muaj, por me emra që bëjnë diferencën në Kategorinë e Parë. Ditë më parë me këtë skuadër u bashkua Ardit Jaupaj, ndërkohë që për SportEkspres.com drejtues të klubit ballshiot konfirmuan se dje ka firmosur një tjetër sulmues, pikërisht elbasanasi Eri Lamçja, një emër i njohur ky edhe në skuadrat e Kategorisë Superiore në sezonet e kaluara.
Gjysmën e parë të këtij sezoni ai e luajti me Dritën e Gjilanit në Kosovë, ndërkohë që te Bylisi duket përforcim serioz, edhe për synimin në Superiore. Lamçja e ka nisur karrierën te Elbasani në sezonet 2012-2015, dhe në dy sezonet e tjera ka qenë pjesë e Teutës në Kategorinë Superiore. Në sezonin 2017-2018 ishte pjesë e Luftëtarit, në këtë rikthim klima sportive në Kosovë ndoshta nuk ka rezultuar e përshtatshme.
AGRON KAJA