Për Erjon Xhafën, zëvendëstrajner te Tirana, skuadra bardheblu ka reaguar mirë në këtë periudhë stërvitore, madje edhe në ndeshjen e djeshme miqësore të humbur me Skënderbeun 1-2. Ish-mbrojtësi i kësaj skuadre, deklaron se në konceptin e tij teknik kjo miqësore ishte një stërvitje e mirë për skuadrën e Tiranës, ku edhe mori ngarkesën e menduar nga stafi teknik.
“Miqësorja me Skënderbeun ishte konceptuar nga ana jonë më shumë si një seancë stërvitore dhe rezultati 1-2 nuk ka rëndësi për ne. Ishte një seancë stërvitore e mirë, ku mbi gjithçka, skuadra mori ngarkesën që ne kishim menduar. Sepse për ne kjo periudhë stërvitore më tepër ka intensitet, se sa ngarkesa”, kështu theksoi fillimisht Erjon Xhafa në deklarimin e tij për SportEkspres.com.
Në këtë periudhë dimërore me mot të ftohtë e me reshje shiu e bore, Tirana nuk është ndikuar prej tyre. Zëvendëstrajneri bardheblu tregon se programi vazhdon të zbatohet me seriozitet nga të gjithë. “Në këtë periudhë ne nuk jemi trembur nga kushtet e rënduara të motit. Ekipi ka reaguar mirë, duke arritur një gjendje të kënaqshme në të gjithë treguesit. Gradualisht do të ulen ngarkesat fizike në këto 20 ditë deri në rifillimin e kampionatit”.
Për merkaton ende nuk ka ndonjë emër konkret te Tirana, por Xhafa deklaron se nga ana e drejtuesve ka biseda me futbollistë të Superiores. Ndërsa rinisja e gjysmës së dytë të sezonit me ndeshjet e Kupës së Shqipërisë ai deklaron se nuk është shumë eksperimentale për skuadrën.
“Drejtuesit e Tiranës janë në biseda me disa lojtarë të Superiores, por qëllim është që të afrohen lojtarë cilësorë. Ndërsa Kupa është një nga objektivat e Tiranës në këtë sezon dhe nuk do të jetë eksperimentale përballja me Flamurtarin”, u shpreh Xhafa.
AGRON KAJA