Liria e Prizrenit gjatë verës afroi disa lojtarë nga Shqipëria dhe njëri prej tyre ishte sulmuesi Aldo Mitraj. Futbollisti, i cili në Shqipëri ka goxha eksperiencë, e ka mbyllur që tani bashkëpunimin me bardhezinjtë dhe tanimë pret ofertën e duhur.
SportEkspres.com mëson se Mitraj dhe Liria kanë gjetur gjuhën e përbashkët për ndërprerjen e kontratës dhe kanë shtrënguar duart. Kjo ishte eksperienca e dytë jashtë vendit për sulmuesin, i cili në të shkuarën ka luajtur edhe në Greqi.
Për herë të fundit në Shqipëri ka qenë pjesë e Tomorit në Kategorinë e Parë, ndërkohë që ka luajtur edhe në Superiore me ekipe si Skënderbeu, Partizani, Apolonia dhe Laçi. Sulmuesi 31-vjeçar tanimë pret të mësojë stacionin e radhës në karrierë.