Frenk Riberi njihet për talentin e madh që zotëron, karakterin e vështirë dhe zemrën e madhe. Francezi i Bajernit të Mynihut shpërtheu si kurrë më parë gjatë ditës së djeshme, duke ofenduar rëndë kritikët e shumtë në rrjetet sociale.
Ky reagim erdhi pasi futbollisti i Bajernit vizitoi një lokal luksoz në Dubai, ku porositi një biftek me kosto 1200 dollarë. Ky veprim shkaktoi një stuhi kritikash nëpër rrjete sociale, diçka kjo që siç duket e ka mërzitur shumë Riberinë.
“Për ta filluar 2019-ën. Po ia nis me xhelozët dhe inatçinjtë, që ndoshta kanë lindur për shkak të ndonjë prezervativi të grisur. Ju q***** nënat, gjyshet dhe madje të gjithë pemën familjare. Nuk ju kam borxh asnjë gjë, suksesin që kam arritur ia kam borxh vetëm Zotit, vetes sime dhe shokëve të afërm e familjes, që kanë besuar gjithmonë tek unë”, shkroi Riberi.
Diçka e tillë nuk ka kaluar pa pasoja dhe klubi gjerman ka reaguar, duke gjobitur francezin. Ka qenë vetë Hasan Salihamixhiç, drejtori sportiv i bavarezëve, ai që ka bërë të ditur masën e klubit.
“Frenk ka përdorur fjalë, që ne si Bajern Mynih nuk mund t’i pranojmë dhe të cilat ai, si model i klubit dhe lojtar i ekipit, nuk duhet t’i përdorë kurrë. Kam folur gjatë me Frenkun gjatë ditës së djeshme dhe i tregova se do të marrë një gjobë të majme nga klubi. Ai e pranoi diçka të tillë”, përfundon boshnjaku i gjigantëve gjermanë.