Shpëtim Duro prej pak kohës është transferuar në Kosovë, ku ka marrë drejtimin e Dritës së Gjilanit. Ish-trajneri i shumë skuadrave në Superiore, ka analizuar luftën për titull në Shqipëri, duke veçuar se e ndjen çdo javë kampionatin shqiptar.
Në emisionin “Fair Play” në “Oran News”, Duro tregoi se Partizani dhe Kukësi mund të shfrytëzojnë faktin që Skënderbeu nuk është më ai i viteve të shkuara, por njëkohësisht theksoi se korçarët mund të jenë një rival i fortë deri në fund. Në garën për vendin e parë, timonieri i gjilanasve futi dhe Teutën, duke listuar dhe arsyet se pse durrsakët mund të pretendojnë vendin e parë.
“I kam ndjekur me shumë interes Superioren. Për Partizanin duhet të flasim më gjerë. Mund të flas fjalët më të mira, pasi sot është në vend të parë, ka pasur stabilitet në dy fazat e para. Ka pasur një ngërç në këto ndeshjet e fundit, por përderisa është në vend të parë duhet të kemi fjalët më të mira për të gjithë. Nuk ka mbaruar asgjë, pasi kampionatit është i gjatë dhe do jetë më i ashpër”.
“Kukësi ka pasur një ecuri shumë të mirë në këto 7 javët e fundit, por edhe me goditjet që po bën po tregon se do të jetë një pretendon serioz. Partizani është më afër, por kampionati ka ekuilibër”.
“Nuk është Skënderbeu i viteve të fundit dhe këtë moment duhet ta shfrytëzojë Partizani këtë vit, Kukësi po ashtu. Duhet të jemi realist që Skënderbeu ka qenë skuadra më e fortë dhe besoj se edhe këtë edicion nëse presidenti Takaj do të futet me idenë për të dalë kampion, sërish do të jetë pretendent serioz, por thash se Partizani dhe Kukësi janë dy pretendentët kryesor, por do të fus këtu Teutën po ashtu”.
“Teuta është ndërtuar jashtëzakonisht mirë, me lojtarë me shumë përvojë si Hidi, Osman, Bicaj, Progni të ndërthurur me elementë shumë cilësor. Kanë marrë tre lojtarë shumë të mirë nga Flamurtari, që çuditem se si i kanë lëshuar nga Vlora, si Bici apo Sidibe që për mua është një prej mesfushorëve më të mirë në Shqipëri, asht udhe Kamara”.