Drejtori i përgjithshëm i Partizanit, Olsi Rama, ka qenë këtë të diel në lidhje direkte me emisionin “Zona Gol”, ku natyrisht ka folur për tema të ndryshme tani që është mbyllur pjesa e parë e sezonit, me të kuqtë që kryesojnë, por e kanë ulur ritmin në javët e fundit.
BARAZIMI I FUNDIT – “Jam pak i mërzitur nga rezultati në Gjirokastër. Prisja më tepër. Deri tani unë them që s’kemi bërë asgjë. Titulli kampion dimri është një titull “llamarine”. Vendin e parë e kemi merituar. Ka qenë fryt i një pune grupi nga lojtarët deri te presidenti, i cili gjithmonë ka qenë pranë skuadrës”.
GABIMET E FUNDIT – “Një nga shqetësimet e mia më të mëdha ka qenë se si do reagonte klubi kur gjërat do të çalonin. E dija shumë mirë që kjo do të ndodhte, pasi kampionati është i gjatë dhe ngarkesa do të bënte të veten te lojtarët. Pushimi erdhi në momentin e duhur për skuadrën tonë”.
“I kam gjërat e qarta se çfarë duhet të bëjmë për të ardhmen për të përmirësuar ekipin. Partizani synon që të bëjë sa më shumë miq dhe jo armiq. Kemi si qëllim që t’i mbushim sa më shumë shkallët e stadiumeve”.
DILAVER DUKA – “Duka është një lojtar që ka luajtur në “MLS”, të cilin trajneri Gega e njeh mirë. Është një lojtar me tipare sulmuese, i cili vjen nga një dëmtim ka pasur dhe disa probleme në familje. Ai ka pranuar të vijë te ne në provë. Tani të shikojmë”.
SHITJE NË JANAR – “Ka interes për lojtarët tanë. Shpesh në stadium kanë ardhur skautë të huaj dhe unë kam folur me ta. Një nga leksionet e para që kam marrë është se një ekip nuk forcohet duke bërë blerje, por duke bërë shitje. Unë jam i gatshëm të diskutoj për çfarëdo lloj oferta, qoftë në janar. Në radhë të parë mua më intereson dhe ardhmja e lojtarëve, që mund të kalojnë në një kampionat më elitar. Paratë që do të marrim, nuk do t’i fusim në xhep, do t’i përdorim për të marrë lojtarë të tjerë”.
PIKAT E DOBËTA TË PARTIZANIT AKTUAL – “Trashi është një lojtar, i cili ka cilësi të jashtëzakonshme dhe me meritë fitoi çmimin “Topi i Artë”. Ai nuk është një mbrojtës i majtë tipik, pasi luan si një sulmuesi i shtuar, ndërkohë që bën mirë dhe fazën mbrojtëse. Në mesfushë jemi pak hollë. Bardhi është adaptuar mirë në rolin e qendërsulmuesit. Nuk është roli tij i natyral, por ai i ka vendosur në shumë vështirësi mbrojtësit me volumin e madh dhe cilësitë e tij teknike”.
KOMPLEKSI DHE STADIUMI I RI – “Punimet kanë ndaluar për arsye të financave. Unë nuk kam qenë pjesë e Partizanit kur u mor vendimi për atë projekt .Fillimisht ishte ideja e presidentit Demi për krijimin e një ministadiumi, pasi në atë kohë morëm vesh se do të prishej stadiumi “Qemal Stafa”. Shpresojmë që së shpejti të bëhet realitet kjo ëndërr e jona”.
DËMTIMI I ALBAN HOXHËS – “Komunikova mbas ndeshjes me Albanin dhe më tha se kishte dhimbje në gjoks dhe në krah. Sipas vizitës së parë që ai kreu në spital, nuk u fol për diçka serioze. Të nesërmen do të bëjë një grafi në Tiranë dhe do të marrim vesh shkallën e plotë të dëmtimit”.
GJYKIMI – “Ka pasur gabime nga gjyqtarët, por unë mendoj gabimet siç janë kundër nesh do të jenë në favorin tonë. Arbitrat shpesh bëhen protagonistë të ndeshjeve me gabimet e tyre. Arbitrat në Shqipëri duhet të kuptojnë se arbitri i mirë është ai që nuk flitet në fund ndeshjes. Në pjesën e parë pati një gjykim të drejtë, por në pjesën e dytë pati raste ku nuk pati fishkëllima për faulle të qarta, për shembull rasti i dëmtimit të Hoxhës”.
TITULLI KAMPION – “Kjo do të varet nga mënyra se si ne do punojmë e si do t’i shfaqim vlerat e skuadrës sonë. Mund të them se po i mësojmë kësaj skuadra si të fitojë. Po krijojmë një ekip që do të ketë një të ardhme të gjatë në futbollin shqiptar”.