Vdekja e Davide Astorit me datë 4 mars të këtij viti i trishtoi të gjithë. Kapiteni i Fiorentinës humbi jetën në mëngjesin e ndeshjes kundër Udinezes si pasojë e një arresti kardiak, ndërsa para disa ditësh hetimet zbuluan se dy mjekë ishin fajtorë për vdekjen e tij.
Ish-mbrojtësi i ekipit viola dhe kombëtares italiane kishte patur probleme në zemër, por mjekët nuk kishin vënë re gjatë kontrolleve dhe e kishin lejuar të vazhdonte të luante futboll.
Më shumë se të gjithë ka vuajtur e ëma, Ana Astori. Ajo ka heshtur gjatë kësaj kohe, por ka vendosur të flasë për herë të parë. Në një prononcim për “Corriere dello Sport”, nëna e Davides së ndjerë ka thënë fjalët e para për ngjarjen e ndodhur.
“Atë mëngjes unë dhe burri im do të iknim në meshë dhe pastaj do të votonim, sepse ishin zgjedhjet. Unë u zgjova dhe i ndjeva krahët si të paralizuar dhe të ftohtë. Ndjeja një boshllëk dhe shtrëngim në trup. Ishte një ndjesi që nuk e kisha provuar kurrë më parë, nuk dija asgjë, por në të njëjtën kohë dija gjithçka…”
Ana kërkon të dijë të vërtetën e vdekjes se Davides së saj. Dikush mund të ketë gabuar, por zemra e nënës është e madhe sa gjithë bota dhe ajo është gati t’i falë, madje i ka falur ata që kanë gabuar.
“E kam falur dhe lutem për atë që ka gabuar, pasi po kalon një Krishtlindje të keqe, gjë që nuk duhet t’i ndodhë askujt. Dua vetëm të di të vërtetën, edhe pse askush nuk do të ma rikthejë përsëri Daviden tim. Ajo që ka ndodhur është një fatkeqësi, një fatalitet. Unë e di, askush nuk e ka dëshiruar një gjë të tillë, por dua që mos t’i ndodhë më askujt. Dua që asnjë nënë të mos provojë atë që kam provuar unë. Në Itali janë të aftë në kontrollet mjekësore për atletët, por duhet të bëhen dhe më shumë të aftë dhe të sigurt”, përfundon Ana Astori.