Goli i Edon Hasanit i dha tre pikë të arta Tiranës për renditjen, por dhe për moralin e ekipit. Ardian Mema ka folur pas ndeshjes për emisionin “Gol pas Goli” në “SuperSport”, duke folur për duelin me Flamurtarin dhe zgjedhjet taktike të ndeshjes.
Trajneri i bardhebluve vlerëson karakterin e ekipit për të mbërritur te fitorja. Mema preferon lojën në sulm dhe sot Tirana rrezikoi për trepikëshin, pasi ai dhe ekipi e tij donin ta mbyllnin me fitore vitin. Tashmë është koha e merkatos, disa lojtarë janë piketuar (kryesisht nga jashtë vendit), por njëshi i stolit të Tiranës nuk dëshiron të nxitohet.
NDESHJA – “Kundërshtari ishte superior në pjesën e parë, por ekipi reagoi në pjesën e dytë, edhe pas ndryshimeve që bëra. Pati goxha ritëm e luftë, çfarë na ka munguar në ndeshjet e shkuara”.
TAKTIKA – “Ka qenë problem në qendrën e mbrojtjes. Mendoj se Hoxhallari ka qenë pjesë e fortë në qendër, por kishte problematikën e tij, pasi skuadra nuk shtynte para. Ekipi luan lart me mbrojtësit e krahëve dhe shtyn më sipër. Nuk kishim çfarë të humbnim, ishte ndeshja e fundit dhe lojtarët dhanë gjithçka në fushë. Doja ta mbyllnim me fitore ndaj një kundërshtari me shumë kualitete. Sa herë lufton fitohet ndeshja. Nuk ka ekipe të forta dhe të dobëta, kush është i përqendruar dhe më në formë fizikisht e më mirë taktikisht dhe arrin të kuptojë si po zhvillohet loja, me doemos punët do i shkojnë mirë”.
NDRYSHIMET – “Kam qenë i kushtëzuar për zgjedhjet e mia, pasi Imami nuk ka luajtur më parë mbrojtës qendre. E kalova Imamin në qendër, pasi ekipi duhet me doemos të fitonte këtë ndeshje, për ta mbyllur mirë vitin me çdo kusht. Nuk kemi bërë ndonjë lojë kushedi se çfarë, por luftuam dhe u kërkua shumë të shkonim drejt portës. Kishim raste si në çdo ndeshje. Është e metë e imja që nuk e shoh edhe aq shumë mbrojtjen, por kjo dha frytet e veta, pasi vetëm Imami nuk ishte në rolin e tij natyral”.
MERKATO – “Ky ekip ka nevojë për ndërhyrje dhe kjo nuk diskutohet. Do jem në punë gjatë pushimit, për të marrë ndonjë lojtar për ta afruar. Kam parë 10 ose 15 lojtarë, por jemi ende duke i vëzhguar, pasi nuk mund t’i biesh menjëherë lapsit. Duhet të shohësh cilësitë tekniko-taktike dhe sjelljet e tyre. Duam të marrim lojtarë më të mirë se grupi aktual. Të huaj apo shqiptar? Kemi parë më shumë jashtë, por nuk është se nuk kemi parë dhe lojtarë në vend. Duhet të jenë pjesë marrëveshjesh klub me klub”.
EKIPI – “Lojtarët që bëjnë diferencën do të jenë efikas te Tirana dhe duhet të zgjidhen më të mirë se sa janë, ose në të kundërt nuk duhen marrë. Ky është mendimi im kategorik. Nëse nuk del një lojtar që nuk bën diferencën, unë do të vijoj me këta që janë. Janari nuk është koha e përshtatshme, por kemi parë disa lojtarë nga jashtë”.
LARGIMET – “Tirana nuk ka listë për të larguar lojtarë, pasi nuk kemi shumë lojtarë. Mund të largohet ndonjë, por nuk mund ta jap këtë përgjigje tani. Tirana duhet të shohë lojtarë që bëjnë diferenca, kjo është shumë e qartë”.
KONKURRENCA – “Lojtari më i mirë do të luajë, por nuk mund të sigurojë unë apo dikush që presidenti të më thotë do rrish 10 vite te Tirana. Lojtarët duhet ta kuptojnë shumë mirë dhe duhet të përpiqen shumë për të zënë vendin. Nëse nuk do ketë konkurrencë, do të kemi të njëjtat probleme”.