Mario Baloteli do të duhet të gjejë një ekip që nga janari. Sigurisht gjithçka varet nga drejtuesit e Nicës, por tashmë trajneri Patrik Vieira e ka marrë vendimin e tij. Në një deklaratë të dhënë së fundmi, francezi është shprehur se sulmuesi italian është një dështim.
“Që në fillim ka qenë e vështirë të menaxhohet, duke nisur që me periudhën e merkatos dhe më pas vonesat për të kapur formën. Pastaj situata u përkeqësua. Ndoshta e kishte dëshirën për të bërë mirë, por më pas e kuptuam se nuk do të ishte e lehtë”.
“Nuk e di nëse ka përfunduar gjithçka, Mario ka një kontratë, por situata është komplekse për të gjithë. Duhet gjetur një zgjidhje: presidenti dhe drejtori sportiv do të flasin me menaxherin e tij. Edhe pse 98% e shokëve i duan të mirën, bashkëpunimi mes nesh mund të quhet një dështim”, është shprehur francezi në një intervistë për “Nice Matin”.
Në të shkuarën “L’Equipe” raportonte se mes Balotelit dhe Vieira ka pasur një përplasje më 16 nëntor. Gjithsesi trajneri i Nicës ka theksuar se nuk ka probleme mes tij dhe sulmuesit, teksa është shprehur shkurtimisht: “Asgjë personale”.