Burreli në këtë sezon të Kategorisë së Parë nuk është në situatë të mirë në renditje, pasi pas 13 javëve të luajtura ka grumbulluar 12 pikë dhe ndodhet në vendin e parafundit në Grupin A. Por trajneri i kësaj skuadre, shkodrani Elvis Plori, për SportEkspres.com deklaron se skuadra e drejtuar prej tij nuk do ta diskutojë mbijetesën në këtë kategori.
“Unë nuk jam euforik në këtë deklarim, por realist në gjendjen e skuadrës. Ka elementë në këtë ekip që duhet të kishin dhënë më shumë se sa vendi i parafundit në renditje, por fillimi i këtij sezoni ka patur disa problematika, të cilat gradualisht u normalizuan. Burreli nuk do ta diskutojë mbijetesën në Kategorinë e Parë, edhe pse faza e tretë është paksa e ashpër me përgjysmimin e pikëve”.
Ndërsa mendon se takimin e radhës me Vorën duhet ta fitojë, tekniku shkodran deklaron se Burrelit i duhen tre-katër përfircime gjatë merkatos së janarit. “Këtë fundjavë luajmë me Vorën në fushën tonë, një ndeshje e fortë që duhet fituar. Kështu ngjitemi diçka në renditje dhe bëhemi gati për katër ndeshjet e mbetura të fazës së dytë, në të cilat synojmë të marrim 6 pikë”.