Laçi dhe Tirana luftuan deri në fund dhe dhuruan një përballje të fortë, pavarësisht kushteve të këqija të terrenit, ku patën ndikimin e vet dhe reshjet e shiut. Pjesa e parë foli për vendasit dhe Laçi arriti të shënonte dy herë me anë të Shtubinës dhe Fangajt.
Në fakt të 3 golat e takimit u shënuan nga shkodranë. Edon Hasani hapi takimin në pjesën e dytë, por Laçi arriti të mbante fitoren dhe të ngjitej në vendin e pestë me 29 pikë. Besnik Prenga e nisi me sukses aventurën e tij me kurbinasit në kampionat, ndërsa bardheblutë nga kryeqyteti renditen në vendin e shtatë me 14 pikë.
Ndeshja pati ritëm dhe agresivitet, ndërsa u regjistruan dhe disa raste të dyshimta. Një për vendasit dhe dy për miqtë. Ndeshja u gjykua nga Ardian Beqiri si arbitër kryesor, me Egin Dodën dhe Ilir Tartarin si ndihmës.
E nisim me minutën e 52-të. Rezultati ishte 2-0 për Laçin, që kishte një mundësi të mirë për të trefishuar shifrat. Një kundërsulm i shpejtë i bardhezinjve nxori Altiparmakovskin të lirë përpara porte, por anësori e cilësoi të parregullt pozicionin e sulmuesit maqedonas.
Kalojmë në minutën e 71-të. Përsëri 2-0 për vendasit, ndërsa Tiranës iu anulua një gol. Bedri Greca shkurtoi shifrat, por anësori e cilësoi lojtarin e bardhebluve në pozicion të parregullt.
E mbyllim me rastin e minutës së 87-të. Rezultati ishte 2-1 dhe Tirana kishte një goditje dënimi në favor. Hasani krosoi një top në zonë nga krahu i majtë i sulmit dhe topi u ndal te Gjoni. Bardheblutë pretenduan për penallti. Topi preku dorën e mbrojtësit, por më parë ishte ndalur në gjoksin e tij. Një rast i dyshimtë, por të gjithë mund ta gjykojnë vetë.